Botë

Liderit të “Jelekverdhëve” i ‘heqin’ syrin me plumb...

Një udhëheqës i “Jelekëve të Verdhë”, protestuesve francezë që ngritën shtetin në këmbë duke pushtuar sheshet për javë të tëra, e që tani besohet se do të kthehen në lëvizje politike për të dalë në zgjedhje kundër presidentit Emmanuel Macron, është goditur në fytyrë nga një plumb manovër gjatë një proteste dhe aktualisht ndodhet në koma.

Sipas mediave ndërkombëtare, Jerome Rodrigues, i cili ndodhet në gjendje koma, ka gjasa që të mbesë gjithë jetën me aftësi të kufizuara.

Protestuesit anti-qeveritarë besojnë se Jerome Rodrigues është qëlluar qëllimisht dhe kanë bërë tashmë thirrje për ‘një kryengritje masive’ kundër qeverisë së Macron pas plagosjes.

Sot Philippe de Veule, avokati i Rodrigues, konfirmoi se klienti i tij është “në koma artificiale” dhe ka të ngjarë të jetë ‘i hendikepuar për gjithë jetën’, transmeton Shqip raportimin e mediave botërore.

Rodrigues ishte në Place de la Bastille, një nga sheshet më të famshme të kryeqytetit francez, gjatë trazirave të së shtunës pasdite kur u godit në syrin e djathtë. Video dramatike që filmoi vetë tregon momentin kur u godit në fytyrë, pasi protestuesit u larguan duke ikur nëpër shesh.

Kamera papritur u ngrit në drejtim të qiellit, ndërsa Rodrigues ra në tokë dhe protestuesit e shqetësuar rrethuan njeriun e plagosur. Në videot e tjera të filmuara në zonë, Rodrigues mund të shihet duke mbajtur syrin e tij me dorë dhe gjaku rrjedh poshtë mjekrës së tij.

Ndërsa ishte ende i ndërgjegjshëm, Rodrigues i tha agjencisë së lajmeve LCI: “Është shumë e dhimbshme, pres që mjekët të vijnë dhe të më tregojnë se çfarë është, është syri im i djathtë”.

“Fillimisht kam ardhur në Place de la Bastille që të përpiqem të siguroj që “Jelekët e Verdhë” të shkojnë larg, që ata të mund të lënë Bastille pas sulmeve nga ana e anarkistëve të Bllokut të Zi kundër policisë. Unë jam një pacifist i lartë, nuk dua që dikush ta dëmtojë vetveten, unë shkova për të nxjerrë grupin tim të vogël nga ky ferr”, u shpreh ai.

Ndërkohë, avokati de Veule tha se një ankesë zyrtare do të bëhet në lidhje me incidentin, i cili tashmë është duke u hetuar nga policia. Policia thotë se ka qenë një granatë jo vdekjeprurëse që shpërtheu përpara Rodrigues dhe ai u godit nga copëzat e saj.

Eric Drouet, një tjetër lider i “Jelekëve të Verdhë”, tha se incidenti justifikon tashmë ‘një kryengritje masive pa precedent me të gjitha mjetet e dobishme dhe të domosdoshme’.

Thirrje të tilla do të jenë shqetësim i madh për Macron, i cili të enjten akuzoi politikanët britanikë për ‘grisjen e shoqërisë’ duke lejuar një referendum për Brexit në Britani.

{gallery}