Venezuela ndërpret marrëdhëniet me SHBA-në

Venezuela ndërpret marrëdhëniet me SHBA-në

24 January 2019 08:55

Udhëheqësi i Venezuelës, Nicolas Maduro, i ndërpreu marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pasi Uashingtoni njohu liderin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm.

Maduro u dha 72 orë kohë diplomatëve amerikanë që të largohen nga vendi i tij.

Të mërkurën, Guaido e shpalli veten president gjatë protestave masive antiqeveritare.

SHBA tha se "ish-presidenti Maduro" nuk ka më autoritet dhe i bëri thirrje ushtrisë që të mbështesë Guaidon.

Deri më tash, ushtria i ka mbetur besnike Maduros.

Ekonomia në Venezuelë është dobësuar nën presidentin Maduro.

Inflacioni i lartë, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesa e gjërave bazë kanë bërë që miliona njerëz të ikin nga ky vend.

Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në një tubim të mërkurën, në kryeqytetin Karakas, në mbështetje të Guaidos, i cili është udhëheqës i Asamblesë Kombëtare.

Ai u tha turmave se protestat do të vazhdojnë "derisa Venezuela të çlirohet".

Komentet

Shto koment

Të ngjashme