Botë

Dodik refuzon të shtrëngojë duart me ambasadoren e SHBA-së

Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka refuzuar të shtrëngonte duart me ambasadoren e SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë, Maureen Cormack në Donja Gradinë.

Dodik e ka cilësuar më herët ambasadoren Cormack “person të padëshiruar” në entitetin serb të Bosnjës, duke e akuzuar si përgjegjësen kryesore pse ai ndodhet në “listën e zezë” të SHBA-së.

Ambasadorja e SHBA-së në BeH, Maureen Cormack tha se e ka vizituar Donja Gradinën që të bëjë homazhe për të gjitha viktimat e Jasenovcit dhe vatrave të tjera të luftës, ku në tragjedi të mëdha humbën jetën shumë njerëz.

"Politikanët flasin për veten. Nuk me shqetësojnë dhe as që dua të komentoj gjestet politike. Ajo që ka rëndësi është t’u bëhet homazh viktimave”, tha Cormack, duke komentuar gjestin e Dodikut.

Ajo tha se shpreson se tragjeditë si ajo e Jasenovcit t’u mundësojë njerëzve ta kuptojnë se sa është me rëndësi që të bashkëpunohet dhe që së bashku të punohet në ndërtimin e urave dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve.

Cormack tha se është me rëndësi që të bëhen homazhe dhe të tregohet respekt ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës Serbe dhe Bosnjë e Hercegovinës që këtu kanë vuajtur.