Botë

Përfundon arratia 40 vjeçare për terroristin italian Çezare Batistin

Pas gati 40 vitesh arrati është arrestuar në Bolivi terroristi i shumëkërkuar italian Çezare Batisti. Në vitin 1981, ai ishte arratisur nga burgu ku vuante dënimin me burg të përjetshëm për vrasjen e 4 politikanëve në Itali.

Përfundon arratia e Çezare Batistit. Terroristi italian, i shumëkërkuar prej 4 dekadash, është arrestuar në Bolivi dhe sipas autoriteteve, brenda ditës së henë do të ekstradohet me një fluturim nga Santa Kruz në Brazil dhe më pas drejt Romës.

64-vjeçari u arrestua në një rrugë të Santa Kruz nga agjentë bolivianë, me ndihmën edhe të shërbimeve të inteligjencës italiane. Mësohet se i shumëkërkuari nuk ka tentuar të arratiset kur u ndalua nga policia. Presidenti italian, kryeministri Konte dhe ministri i Brendshëm Salvini u shprehën të kënaqur për ketë arrestim. Ata thonë se Batisti do të vuaje në burg dënimin e përjetshëm, ndërsa familjet e viktimave që u ka marrë jetën do të gjejnë drejtësinë e pritur prej mbi 40 vjetësh.

Çezare Batisti është dënuar me burgim të perjetshëm për shumë vrasje, mes të cilave 4 politikanë italiane në vitin 1970. Ekstremisti komunist Batisti u dënua me burg të përjetshëm nga drejtësia italiane, por në vitin 1981 ai ishte arratisur nga qelia dhe pas kalimit në France e në Meksikë, përfundoi në Brazil. Në vitin 2010 presidenti brazilian i kohës Lula da Silva, kishte refuzuar një kërkesë të autoriteteve italiane për ekstradimin e Batistit./abcnews.