Botë

Sulmi në Manchester trajtohet si incident i lidhur me terrorizëm

Therja me thikë e tre personave, përfshirë një zyrtar të policisë, në stacionin e trenave “Manchester Victoria” në Manchester të Anglisë, po trajtohet si incident i lidhur me terrorizëm, tha policia britanike.

Ngjarja ndodhi natën e Vitit të Ri, ndërsa një person 25 vjeç u arrestua nën dyshimet për vrasje në tentativë.

Në vendin e ngjarjes u gjetën dy thika.

BBC raporton se shërbimet e sigurisë po e ndihmojnë policinë.

Policia e Manchesterit tha të martën se po heton motivin e sulmit.

Tre të plagosurit u dërguan në spital me plagë serioze, por jo kërcënuese për jetën, thanë autoritetet.

Stacioni i trenave “Manchester Victoria” u rihap pas incidentit.

Kryeministrja britanike, Theresa May, përmes një postimi në Twitter shprehu solidaritet me të plasgosurit në këtë, siç tha, sulm të dyshuar terrorist.