Botë

Partia e vogël opozitare greke rrezikon miratimin e Marrëveshjes së Prespës

Në Greqi partia opozitare, “Potami” e cila deri kohë më parë kishte deklaruar se do ta mbështeste Marrëveshjen e Prespës, tani duket se po lëkundet.

Sipas burimeve të së përditshmes greke “Real”, lideri i “Potamit”, Stevros Teodorakis iu ka thënë kolegëve të tij se do të vendosin si do të votojnë në Kuvendin e Athinës pasi ta shohin tekstin e Kushtetutës së IRJM-së kur ajo të ndryshojë. Megjithatë ndaj kërkesës së partisë më të madhe në pushtet, Syriza që Teodorakis të qartësojë nëse ka hequr dorë nga të mbështeturit e marrëveshjes, ky i fundit me përgjigje:

Nuk duhet të përsërisim gabimet e së kaluarës për çështje kombëtare. Le të mendojmë në mënyrë patriotike. Për ata që po mendojnë se çfarë qëndrimi do të kemi në Kuvend, nuk do ta ndërtojmë atë mbi interesa personale e as partiake, por vetëm për të ardhmen e vendit- deklaroi Stavros Teodorakis, Potami.

Përfaqësuesit e Syrizas kanë akuzuar Potamin se është ndikuar nga partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re.

Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet nga Kuvendi grek sepse i shërben interesave të vendit. Shpresoj që edhe Potami të qëndrojë e prerë dhe e vendosur në “Po”. “Ujërat e turbullta” në përpjekje për ta devijuar Potamin drejt Demokracisë së Re, do të çojë në shkatërrimin e saj të parakohshëm- pohoi Dimitris Papadimulis, eurodeputet i Syrizas.

Zëdhënësja e Demokracisë së Re, Maria Spyraki ka hedhur poshtë zërat për marrëveshje sekrete me Potamin duke thënë se kjo e fundit është parti autonome dhe se për Marrëveshjen e Prespës secili deputet do të votojë në bazë të vetëdijes së vetë. Ndërsa betonoi edhe një herë qëndrimin kundër marrëveshjes, që sipas saj dëmton interesat kombëtare. Më herët nga Demokracia e Re kanë pretenduar se do të negocionin nga fillimi për një marrëveshje të re, të denjë, në rast se dështon ajo e Prespës. Nëse vërtetë 6 deputetët e Potamit nuk do ta mbështesin Marrëveshjen e Prespës në Athinë, atëherë mund të paraqiten probleme në ratifikimin e së njëjtës. Aktualisht Syriza ka 145 vota, ndërsa për ratifikimin e marrëveshjes duhen 151.