Heather Nauert pritet të emërohet ambasadore e SHBA-së në OKB

Heather Nauert pritet të emërohet ambasadore e SHBA-së në OKB

07 dhjetor 2018 08:44

Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të emërojë zëdhënësen e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert si ambasadore të re të Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kanë raportuar mediat amerikane.

Një nga raportimet ka ardhur nga Fox News, medium në të cilin Nauert ka punuar më parë si moderatore.

Kjo pasi Nikki Haley ka njoftuar në muajin tetor se ajo do të largohet nga kjo pozitë në fund të vitit.

Nauert, 48 vjeçare, është emëruar si zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit në muajin prill të vitit të kaluar, duke fituar kështu pozitën e parë qeveritare.

Fox News ka thënë se Trump do të njoftonte për këtë emërim përmes një postimi në Twitter të premten në mëngjes, derisa Bloomberg ka thënë të ketë kuptuar këtë lajm nga tri burime.

Departamenti i Shtetit nuk ka komentuar këtë çështje.

Haley ndërkaq ka shërbyer në këtë pozitë për dy vjet.

Ish-guvernatorja e Karolinës Jugore, njëherësh një nga gratë e pakta në kabinetin e Trumpit, nuk ka dhënë ndonjë arsye për largimin e saj, mirëpo ka hedhur poshtë planet se synon të garojë për presidente më 2020.

Trump në anën tjetër ka thënë se Haley ka bërë “një punë fantastike”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme