Botë

Rusia dërgon ekspertë në Alepo pas raportimeve për sulm kimik

Rusia thotë se ka dërguar ekspertë ushtarakë të kimikateve në Alepo pas raportimeve se pas predhave të hedhura nga kryengritësit, dhjetëra njerëz kanë pasur probleme me frymëmarrje dhe shikim.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenko u tha gazetarëve se specialistët nga njësitet ruse për mbrojtje bërthamore, kimike dhe biologjike kanë dalë në vendin e ngjarjes, pasi televizioni shtetëror sirian, ka publikuar pamje ku njerëzit shihen të kenë pasur probleme, që mund të jenë shkaktuar nga një sulm kimik.

“Ata po punojnë me të plagosurit dhe janë duke montuar ambientin në këtë zonë, ku substanca toksike janë përdorur nga militantët”, tha Konashenkov.

“Sipas informacioneve të para, të konfirmuara, sipas simptomave të të lënduarve, predhat e hedhura në zonat rezidenciale në Alepo, duket se kanë qenë të mbushura me klor”, shtoi ai.

Agjencia AP ka cituar një zyrtar nga Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Britani, të ketë thënë se kundërmimi i gazit është ndjerë në Alepo pas sulmeve më 24 nëntor.

Liderët e rebelëve, megjithatë, kanë hedhur poshtë pretendimet se ata kanë përdorur armë kimike dhe kanë akuzuar zyrtarët qeveritarë se kanë inskenuar këtë sulm për të minuar armëpushimin.

Komandanti i rebelëve, Abdel-Salam Abdel-Razak shtoi se grupet opozitare nuk kanë armë që kanë përmbajtje të gazit dhe madje nuk kanë kapacitete për të sulmuar me armë të tilla.

Të dyja palët e përfshira në konflikt kanë akuzuar njëra-tjetrën se kanë kryer sulme me armë kimike, por këto pretendime kanë qenë vështirë të verifikueshme për shkak të mungesës së monitoruesve të pavarur.

Ekspertët nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike e OKB-së, kanë akuzuar Qeverinë në Damask se ka përdorur gazin e klorin në të paktën dy sulme më 2014 dhe 2015 si dhe agjentin nervor sarin në një sulm në prill të vitit 2017.

Por, presidenti sirian, Bashar al-Assad dhe Rusia, aleati i tij, kanë hedhur poshtë këto pretendime dhe kanë akuzuar rebelët se kanë kryer sulm me armë kimike. /REL