Botë

Pence: Premtim për përgjigje “gjithëpërfshirëse” ndaj Koresë Veriore

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i ka tërhequr vërejtjen Koresë Veriore për të mos e testuar vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara, duke premtuar se Uashingtoni do ta bëjë një përgjigje “gjithëpërfshirëse dhe efektive” ndaj çfarëdo sulmi.

Mëtutje, duke folur sot në aeroplanbartësin amerikan, USS Ronald Reagan, në Japoni, zoti Pence tha se Koreja Veriore është “kërcënimi më i rrezikshëm dhe më urgjent për paqen dhe sigurinë në rajonin Azi-Paqësor”.

Ai tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, do të vazhdoj të “punoj në mënyrë të zellshme” me vendet e tjera, për të ndërmarrë presion ekonomik dhe diplomatik kundër Phenianit, por theksoi se Shtetet e Bashkuara “gjithnjë do të synojnë paqe”.

Pence është shprehur se “mburoja qëndron në mbrojtje, ndërsa shpata qëndron e gatshme”.

Këto komente u bënë një ditë pasi dështoi një lansim raketor i Koresë Veriore.

Gjatë viteve të fundit, Pheniani i ka përshpejtuar testet e veta atomike dhe raketore, përkundër dënimit ndërkombëtar dhe sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.