Sllovenia ka pagat më të larta në rajon, Maqedonia e Serbia më të ulëtat

Sllovenia ka pagat më të larta në rajon, Maqedonia e Serbia më të ulëtat

20 nëntor 2018 15:44

Pagat më të larta mujore në rajon janë ato në Slloveni dhe Kroaci, ndërsa më të ulëtat në Maqedoni, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, kanë treguar të hënën të dhënat më të fundit statistikore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bazuar në të dhënat e entit statistikor të Sllovenisë, paga mesatare neto e vendit, gjatë muajit gusht të këtij vitit ishte 1.082 euro në muaj.

Sllovenia është po ashtu vendi i vetëm i rajonit që ka pagë mesatare mujore më të lartë se 1 mijë euro, transmeton koha.net.

Pas Sllovenisë, në listën e vendeve me pagat më të majme në rajon është renditur Kroacia, vend ky anëtar i Bashkimit Evropian, ku gjatë gushtit paga më e lartë mesatare ishte 843 euro. Të dhënat e entit statistikor të Kroacisë kanë treguar po ashtu se paga mesatare neto e gushtit ka shënuar një rritje prej 0.9 për qind në krahasim me atë të korrikut të po këtij viti.

Në vendin e tretë në këtë listë është renditur Mali i Zi, ku të dhënat e Monstat-it kanë treguar se përfitimet mesatare të të punësuarve, pa llogaritur tatimet dhe kontributet, gjatë këtij shtatori kanë kapur shifrën prej 512 eurosh, shumë kjo që është për 0.2 për qind më e lartë se sa në gusht.

Pagat më të ulëta mujore janë evidentuar në Maqedoni, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë. Sipas të dhënave të agjencisë statistikore të Bosnjës bëhet e ditur se rroga mesatare e të punësuarve në këtë vend gjatë shtatorit ka qenë 448 euro, që nënkupton një rritje nominale prej 1.7 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit të shkuar.

Të dhënat e entit statistikor të Serbisë kanë treguar se të ardhurat mesatare mujore të qytetarëve të punësuar të këtij vendi janë 421 euro në muaj. Teksa, të dhënat e entit maqedonas të statistikave tregojnë se paga mesatare e vendit, gjatë gushtit të këtij viti, ka qenë 393 euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme