Botë

Gazetari turk dënohet me mbi dy vjet burgim për fyerje të Erdoganit

Descriptive Text

Gazetari turk, Husnu Mahalli, është dënuar të enjten me dy vjet e pesë muaj burgim për shkak të fyerjes së presidentit, Recep Tayyip Erdogan, thuhet në vendimin e gjykatës.

Mahalli, ndryshe një gazetar i njohur që shkruan kolumne për të përditshmen opozitare të vendit “Sozcu”, nuk do ta vuajë dënimin me burgim, pasi që tashmë e ka përfunduar dënimin, dhe meqë vendimi pritet të kalojë edhe në fazën e Apelit. Gjykata turke ia shqiptoi Mahallit edhe dënimin e pezulluar me një vit e tetë muaj burgim për ofendim të zyrtarëve publik. Bazuar në vendimin e gjykatës, Mahalli do ta vuajë një dënim më të vogël vetëm në rast se kryen ndonjë krim që ndëshkohet me burgim brenda pesë viteve të ardhshme, gjatë të cilës periudhë do të jetë në liri me kusht.

“Klienti im është dënuar shkaku i shprehjeve që ka përdorur në kolumnet e tij, në postimet në ‘Twitter’. Këto shprehje duhej parë në suazat e lirisë për kritikë. Ne do të paraqesim ankesë ndaj vendimit”, ka thënë avokati i Mahallit, Ertugrul Aydogan.

Mahalli ishte dënuar në dhjetor të 2016-s, pasi e akuzoi Turqinë për ndihmë grupeve terroriste në Siri dhe për shkak se e quajti Erdoganin diktator. Ai u lirua më pas, në janar të 2017-s, në pritje të gjykimit, transmeton Koha.net.

Mahalli u mbrojt në gjykatë, duke thënë se po e kryente obligimin e tij si gazetar, raportoi agjencia private turke e lajmeve DHA. “Nuk e kam fyer president. Gjithnjë i jam adresuar si zotëri president. Fjala ‘diktator’ nuk është fyese. Kërkoj që të lirohem”, ka thënë ai gjatë gjykimit.

Autoritetet turke kanë arrestuar me dhjetëra mija shërbyes civilë, gazetarë, ushtarë dhe përfaqësues të tjerë të shërbimeve publike pas tentimit të dështuar për puç në korrik të 2016-s. Që atëherë, kanë mbyllur po ashtu më se 130 qendra mediale.