Komisioni votoi për heqje të imunitetit Gruevskit

Komisioni votoi për heqje të imunitetit Gruevskit

07 nëntor 2018 14:02

Komisioni për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit në Maqedoni i dha dritë jeshile propozimit për marrjen e mandatit deputetit, Nikolla Gruevski.

Gjashtë anëtarë nga 9, sa numëron ky komision, votuan pro marrjes së imunitetit deputetit Nikolla Gruevski, procedura e mëtejme kalon në seancë plenare.

Që në fillim te seancës së Komisionit në fjalë, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski tregoi se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së është kundër marrjes së mandatit, deputetit Nikolla Gruevski. Veljanoski me këtë rast drejtoi një sërë akuzash ndaj pushtetit dhe organeve gjyqësore, transmeton Alsat M.

“Gjithë opinioni vendor dhe i huaj është dëshmitarë i presioneve politike ditore, në historinë moderne të demokracisë. Jetojmë një kohë ku i mbarë opinioni vendor dhe i huaj janë të vetëdijshëm se në Republikën e Maqedonisë po kryhet presion politik ndaj qytetarëve nga Institucionet e Republikës së Maqedonisë. Ky presion po kryhet përmes shkeljes së vullnetit të qytetarëve të shprehur qartë në referendum dhe me keqpërdorimin e së drejtës përmes shkeljes së pavarësisë së gjyqësorit dhe sistemit të së drejtës që është një nga shtyllat kryesore të një shteti demokratik”, tha Trajko Velnaoski, deputet i VMRO-DPMNE-së, sipas të cilit për herë të parë pas 28 viteve në Maqedoni jemi dëshmitarë të një presioni të paparë nga institucionet dhe sistemet ku s’kemi drejtësi.

“Është shkelur demokracia, shteti i së drejtës dhe drejtësia. Korrupsioni ka rritur shkallën më të lartë, ku institucionet në mënyrë sistematike janë të lidhura dhe shfrytëzohen për qëllime politike. Të gjithë ne sot jemi dëshmitarë se në Maqedoni po zhvillohet një proces i montuar politik. Gjithmonë kur një fushatë gjyqësore përfundon me gabimet e dikujt, gjithmonë historia gjenë mënyrën që ti përmirësoj ato gabime. Për këtë arsye, sot më shumë se kurdoherë më parë në Republikën e Maqedonisë është më se e rëndësishme që të aftësohet gjyqësori dhe të veproj si e pavarur dhe e pandikuar nga politika. Pa qasje selektive që të mos përsëriten gabimet e njëjta”, tha Veljanoski.

“Sot kërkohet marrja e mandatit të një deputeti, ish kryeministër. Ky hap shkakton thellim të hendekut. Në vend që si deputet, si të zgjedhur të popullit të veprojmë në drejtim të zgjidhjes së problemeve reale të qytetarëve, ky institucion vepron si makineri votimi duke mos mbajtur fare llogari për atë që e kanë premtuar para qytetarëve”, u shpreh më tej Veljanovski.

Ndërsa paraprakisht në emër të grupit të ri parlamentar, grupit të pavarur të VMRO-DPMNE-së u drejtua Sashe Vasilevskiu, i cili vlerësoi se debati i sotëm ishte i përshpejtuar, pasi vjen menjëherë pas formimit të trupit për pajtim kombëtarë.

“Vlerësoj se debatet e këtilla janë të mira, unë i arsyetoj. Por qëndrimi jonë është se dje në Kuvend për herë të parë që nga pavarësimi hapet proces i një trupi të rëndësishëm ku do të shtrihet dora e pajtimit mes të majtës dhe të djathtës, në kontekst të kësaj vlerësojmë se debati i sotëm është i përshpejtuar, qëndrimi jonë është kundër”, deklaroi Vasilevski.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme