Shumica e britanikëve për qëndrim në BE, tregon anketa më e re

Shumica e britanikëve për qëndrim në BE, tregon anketa më e re

06 nëntor 2018 11:06

Britanikët do të votonin për qëndrim përbrenda Bashkimit Evropian me një margjinë dallimi prej 54-46 për qind sikur një referendum i dytë për këtë çështje të mbahej, ka treguar një sondazh që thuhet të jetë më i madhi i këtij lloji deri më tash.

Rritja e dukshme e përqindjes së mbështetësve të opsionit të qëndrimit pjesë e BE-së do të shfrytëzohet si një mundësi e mirë nga ana e aktivistëve, të cilët kërkojnë një votë të dytë detyruese për kushtet e dakorduara në mes të Londrës dhe Brukselit para divorcit zyrtar të Britanisë me bllokun e 27 vendeve, më 29 mars të vitit të ardhshëm. Mbetet e paqartë megjithatë se çfarë do të ndodhë në rast se marrëveshja përfundimtare dështon, teksa ka të tillë që sugjerojnë se një referendum i dytë rreth anëtarësisë së Britanisë në BE mund të mbahet, transmeton Koha.net.

Kryeministrja britanike, Theresa May, e hedhë poshtë idenë, duke argumentuar se do të ishte jodemokratike që Britania t’i hedhë poshtë rezultatet e referendumit të Brexitit, në qershor të 2016-s. Atëbotë, votuesit zgjodhën që të dalin nga BE-ja menjë margjinë dallimi prej 52-48 për qind, në votën që qe rezultat, pikë së pari, i dëshirës për kontrollimin e kufijve të Britanisë në kohën e krizës së refugjatëve që kishte goditur Evropën. Ama, bisedimet rreth kushteve të daljes së Britanisë akoma ngecin shkaku i përplasjes rreth kufirit irlandez andaj gjasat për arritjen e një ujdie të kënaqshme duken tejet të vogla.

E porositur nga televizioni i pavarur britanik “Channel 4”, anketa online me 20 mijë persona ishte kryer nga agjencia “Survation” ndërmjet 20 tetorit dhe 2 nëntorit. Anketa ka treguar për më tepër se mbështetja për Brexitin në disa prej atyre qyteteve ku u votua me shumicë për dalje ka shënuar rënie deri në 10 për qind të pikëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme