Botë

Arabia Saudite dërgoi ekspertë për të zhdukur gjurmët e vrasjes së Khashoggit, thotë zyrtari turk

Descriptive Text

Arabia Saudite kishte dërguar dy ekspertë, për të fshehur provat e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, një javë pas zhdukjes së tij në Konsullatën saudite në Stamboll, ka deklaruar të hënën një zyrtar turk, duke e quajtur këtë dëshmi se zyrtarët më të lartë shtetërorë sauditë kanë pasur njohuri për krimin.

Duke e konfirmuar raportin në gazetën pro-qeveritare turke, “Sabah”, zyrtari ka thënë se një kimist dhe një toksikolog e kanë pasur për detyrë që të zhduknin provat, para se hetuesve turq t’iu jepej qasje në konsullatën saudite dhe rezidencën e konsullit, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

“Sabah” i ka identifikuar këta dy persona si Ahmed Abdulaziz al-Jonabi dhe Khaled Yahya al-Zahrani, duke thënë se ata kishin mbërritur në Turqi në kuadër të një ekipi 11-anëtarësh, të dërguar për të kryer inspektimet me zyrtarët turq.