Botë

Zyrtarët irakianë thonë se IS-i po përdor armë kimike në Mosul

Descriptive Text

Autoritetet irakiane kanë akuzuar grupin militant Shteti Islamik se po përdor “materiale kimike toksike” në betejën për Mosulin, por ata kanë thënë se përdorimi i këtyre armëve ka pak efekt në ofensivën irakiane për të rimarrë nën kontroll këtë qytet.

“Terroristët e IS-it kanë tentuar të bllokojnë përparimin e forcave tona, duke përdorur predha që janë të mbushura me materiale kimike toksike, por efekti i tyre ka qenë i limituar”, ka thënë Komanda e Operacioneve të Përbashkëta të Irakut më 16 prill, raporton rel.

Gjenerali Yahya Rasool i ka thënë agjencisë Associated Press se gjashtë ushtarë kanë pasur probleme me frymëmarrje.

Zyrtarët e policisë federale, që po marrin pjesë në ofensivën për rimarrjen e Mosulit Perëndimor, i kanë thënë agjencisë Reuters, se forcat qeveritare janë goditur nga IS-i me predha që kanë përmbajtje kimike në qarqet Urouba dhe Bab Jadid.

Zyrtarët kanë thënë se ende nuk e dinë se çfarë lloji i kimikateve gjendet në këto predha.

IS-i ka marrë nën kontroll Mosulin më 2014. Sidoqoftë, koalicioni i sulmeve ajrore i udhëhequr nga SHBA, dhe forcat irakiane në terren, kanë arritur të çlirojnë lindjen e Mosulit. Ndërkaq, forcat irakiane tash janë duke zhvilluar beteja për të rrimarrë pjesën perëndimore të qytetit, ku vlerësohet se janë 2 mijë militantë të IS-it.