Botë

Erdogan, pushtet absolut

Descriptive Text

Sot u mbajt referendumi historik që sjell ndryshime të mëdha në Turqi e që i jep kompetenca të reja rolit të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Rezultati do t’i japë influencë të ardhmes për marrëdhënie me Bashkimin Evropian, do të sjellë ndryshime mbi problemet me kurdët dhe dinamikën sociale, ndërkaq sistemi i tanishëm parlamentar do të kalojë në një presidencë të fuqishme me kompetenca ekzekutive, shkruan Reuters, përcjell Koha.net.

Në vijim keni disa detaje lidhur me 18 amendamente që do të ndryshojnë rreth 70 për qind të ligjeve, ndërkaq Erdogan do të marrë kompetenca deri në vitin 2029.

Fillimisht, zyra e kryeministrit do të shfuqizohet dhe presidenti do të caktojë kabinetin dhe një numër të papërcaktuar të nënkryetarëve.

Tutje presidenti do të ketë fuqinë të nxjerrë dekrete për të rregulluar ministritë madje edhe të emërojë e të largojë shërbyes të lartë civil, pa miratim parlamentar.

Erdogan do të jetë në gjendje të mbajë anëtarësi në parti politike, përfshirë edhe udhëheqjen e një partie. Ai do të deklarojë kur do të ketë gjendje të jashtëzakonshme madje edhe do të hartojë buxhetin.

Këshilli Mbikëqyrës i Shtetit i cili mbikëqyr veprimtarinë e organeve publike dhe ato private, do të hapë hetime administrative duke i dhënë presidentit pushtet të drejtpërdrejtë mbi një gamë të gjerë të grupeve, duke i përfshirë edhe forcat e armatosura.

Numri i anëtarëve të Bordit të Lartë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve i cili tani është 22, do të bëhet 13. Presidenti do të emërojë katër anëtarë ndërkaq parlamenti shtatë. Ministri i Drejtësisë dhe nënsekretari i Erdoganit janë automatikisht anëtarë.

Gjykata Kushtetuese do ta ketë autoritetin të vë në provë presidentin. 12 nga anëtarët e tij do të emërohen nga vetë presidenti ndërsa 3 nga parlamenti.

Edhe parlamenti do të zgjerohet. Nga 550 vende do të bëhen 600, ndërkaq mosha minimale do të ulet në 18 nga ajo e kaluara që ishte 25.

Zgjedhjet parlamentare që mbaheshin çdo katër vjet, tani do të mbahen çdo pesë vjet.

Presidenti do të ketë kompetenca të shpërbëjë parlamentin, edhe nëse kjo shkakton zgjedhje të parakohshme presidenciale.