Botë

Mësimdhënësit francezë thyejnë heshtjen rreth keqtrajtimeve nga nxënësit e tyre

Kanë qenë të shumtë mësimdhënësit francezë që kanë rrëfyer për rastet kur ata janë ngacmuar nga nxënësit e tyre nëpër klasa. E tërë kjo ka ndodhur pas një xhirimi, në të cilin shihet një tinejxher që ia drejton një armë të rreme mësimdhënësit të tij, në një paralagje të Parisit.

Qindra mësimdhënës e kanë përdorur rrjetin social “Twitter” për të rrëfyer raste të tilla të cilat u kanë ndodhur atyre, transmeton Koha.net.

Shumica prej tyre kanë thënë se askush nuk u kishte dalë në ndihmë, edhe pasi që e kishin raportuar rastin e kërcënimit, ngacmimit dhe dhunës.

15-vjeçari, që thuhet të ketë qenë i përfshirë në incidentin me armë të rreme, është akuzuar për dhunë. Ky hap është ndërmarrë, pasi që mësimdhënësi i tij i është ankuar shkollës së mesme në Creteil rreth incidentit.

Tinejxheri ka thënë se kjo ishte “shaka” dhe se nuk kishte qenë në dijeni se ai po xhirohej nga njëri prej shokëve të klasës, që e kishte shpërndarë xhirimin përmes “Snapchatit”.

E cilësuar në mediet franceze si lëvizja #MeToo e sistemit arsimor në këtë shtet, të shumtë kanë qenë ata që kanë rrëfyer përvojat e tyre.

“Më kanë pështyrë dhe më kanë kërcënuar se do të më ‘rrahin’ pas mësimit”, shkruan një arsimtare e latinishtes. Pasi që ajo kishte kërkuar masë ndëshkuese, drejtori ishte pajtuar që ta suspendonte nxënësin për tri ditë, por më vonë ia kishte tërhequr vërejtjen edhe arsimtares.