SHBA-ja planifikon të tërhiqet nga marrëveshja për armatim, Putini kërkon shpjegime

SHBA-ja planifikon të tërhiqet nga marrëveshja për armatim, Putini kërkon shpjegime

21 tetor 2018 16:55

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të kërkojë nga John Boltoni shpjegime se pse Uashingtoni ka në plan të tërhiqet nga marrëveshja për kontrollin e armëve.

Putin do të kërkojë një shpjegim kur në Moskë javën e ardhshme do të takohet me këshilltarin për Siguri Kombëtare të SHBA-së, transmeton Reuters duke cituar një deklaratë nga ana e zëdhënësit të Kremlinit Dmitri Peskov për Ria Novosti.

Ish-lideri sovjetik Mikhail Gorbachev, i cili në vitin 1987 së bashku me presidentin amerikan Ronald Reagan, nënshkroi marrëveshjen mbi forcat bërthamore të rangut të mesëm, e quajti sot të gabuar planin e kreut aktual të Shtëpisë së Bardhë Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja.

Interfax raporton se Gorbachev tha se "në asnjë rrethanë nuk duhet prishur marrëveshjet e vjetra mbi çarmatimin".

“A e kuptojnë ata në Uashington me të vërtetë se ku mund të çojë kjo? Tërheqja nga marrëveshja për armët bërthamore të rangut të mesën është gabim”, tha ai.

Trump të shtunën tha se do të tërhiqet nga kjo marrëveshje për shkak se Rusia, siç tha ai, "për vite me radhë", po e shkel atë dhe për shkak se dokumenti pengon SHBA-në për të zhvilluar armë të reja, transmeton KosovaPress.

Marrëveshja ndalon SHBA dhe Rusia të posedojnë, prodhojnë dhe të testojnë raketa tokësore në rangun 500 deri në 5,500 kilometra.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme