Kuvendi i Maqedonisë pritet të votojë për ndryshimet kushtetuese

Kuvendi i Maqedonisë pritet të votojë për ndryshimet kushtetuese

19 tetor 2018 09:38

Kuvendi i Maqedonisë të premten pritet të vazhdojë debatin për ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin.

Pas tërheqjes së deputetëve të VMRO DPMNE-së nga lista për fjalim, shumica parlamentare ka paralajmëruar edhe aktin e votimit, por mbetet dilema nëse janë siguruar ose jo dy të tretat e votave apo 80 nga 120 deputetët sa numëron Kuvendi i Maqedonisë.

Votimi, siç bëhet jozyrtarisht e ditur mund të shtyhet për ndonjë ditë tjetër, nëse shumica parlamentare nuk është e bindur se i ka siguruar votat e nevojshme.

Nga LSDM-ja dhe BDI-ja, dy partitë kryesore që formojnë Qeverinë, janë shprehur optimiste për kalimin e ndryshimeve, por pa saktësuar nëse e kanë numrin e votave. Qeveria, e cila ka propozuar ndryshimet, ka kërkuar nga deputetët e opozitës që t’i bashkohen grupit të deputetëve që mbështesin zbatimin e marrëveshjes dhe zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Kam shpresa se Kuvendi do të mbledhë forcat, do të inkurajohen deputetët, të cilët para së gjithash janë përfaqësues të qytetarëve dhe më pas të partive politike, do të qëndrojnë drejt përpara përgjegjësisë historike, para kësaj mundësie që nuk duhet lëshuar që më në fund të japin dritë jeshile, për vërtetimin e nevojës për ndryshime kushtetuese”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.

Nga VMRO DPMNE-ja kanë përsëritur qëndrimin kundër ndryshimeve kushtetuese dhe marrëveshjes me Greqinë, duke e quajtur “të vdekur” pas dështimit të referendumit më 30 shtator.

Por, disa deputetë të saj, në disa prononcime kanë kërkuar marrëveshje mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit opozitar, Hristijan Mickovski, duke lënë për të kuptuar se mund të mbështesin ndryshimet. Qëndrimet e tyre të lëkundura erdhën në momentin kur kryeministri, Zoran Zaev ofroi falje për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill të vitit të kaluar.

Gjashtë deputetë të VMRO-së janë të akuzuar për dhunën në Kuvend, dhe pikërisht falja synon marrjen e votave të tyre për të kaluar ndryshimet kushtetuese.

VMRO DPMNE-ja, gjithashtu, gjendet para një presioni të fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Wess Mitchel, në një letër dërguar liderit opozitar ka shprehur dëshpërimin e Uashingtonit për qasjen e opozitës duke i bërë thirrje që të mbështesë ndryshimet si mundësi e vetme për të ardhmen e vendit.

Mesazhe të ngjashme kanë dërguar edhe shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, dhe komisionari për Zgjerim, Johanes Hahn.

Nëse ndryshimet nuk kalojnë në Kuvend, atëherë Maqedonia detyrimisht do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat me gjasë do të mbahen në muajin dhjetor, por nuk përjashtohet edhe mundësia për formimin e një qeverie teknike, ashtu siç kërkon opozita, duke u bazuar në Ligjin për Qeverinë që parasheh një qeveri të tillë 100 ditë para mbajtjes së çfarëdo cikli zgjedhor.

Por, zgjedhjet nuk shihen si zgjidhje e mirë, pasi me to jo vetëm që shtyhen afatet për zbatimin e marrëveshjes, porse edhe rezultatet mund të jenë jo të favorshme për mbështetësit e marrëveshjes së emrit.

Maqedonia dhe Greqia marrëveshjen e kanë arritur në qershor, dhe me të synohet t'i jepet t'i fund kontestit 27-vjeçar, që kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë. Greqia ka bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE duke thënë se me këtë emër, fqinji i saj verior mund të ketë pretendime territoriale ndaj rajonit të tij verior që mban emrin Maqedoni.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme