Botë

Moti i keq gjunjëzon Europën, shira, përmbytje dhe viktima

Kërkimet vazhdojnë për ata që mungojnë në apel pas përmbytjeve në Spanjë, Itali dhe Francë. 10 persona humbën jetën në Majorka të Spanjës, mes të cilëve dy turistë britanikë. Tre të tjerë konsiderohen ende të zhdukur, mes tyre një pesëvjeçar.

Edhe në rajone të tjera, shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet i kanë marrë jetën një numër personash të bllokuar në makinat e tyre. Dy persona humbën jetën në Sainte Maxime në bregun jugor të Francës, ndërsa një grua u gjet e vdekur në Sardenjë.

Në Itali, në zonën e Cagliarit në Sardenjë, moti i keq i ka marrë jetën një gruaje. Ajo u shpall e zhdukur një natë më parë, pasi makina e saj u bllokua nga uji i përmbytjeve. Agjencitë italiane të lajmeve thanë më pas se, ajo u gjet e mbytur nga skuadrat e shpëtimit në mëngjes.

Anëtarët e tjerë të familjes së saj, bashkëshorti dhe 3 vajzat ishin shpëtuar me helikopter. Pjesë të mëdha të Cagliarit mbetën nën ujë. Dhjetëra persona janë evakuuar dhe disa rrugë janë mbyllur për shkak të nivelit të rrezikshëm të ujërave apo shembjes.

Edhe në Cagliari është shembur një urë, fatmirësisht pa viktima.