Botë

Kurdët kundër kushtetutës që rrit kompetencat e Erdoganit si president

Descriptive Text

Rezistenca kundër kushtetutës për sistemin presidencial është veçanërisht e madhe në juglindje të Turqisë. Në këtë rajon Erdogani i kundërvihet me të gjithë forcën partisë së afërt me kurdët HDP.

Në metropolin kurd Diyarbakir luftohet për çdo votë, raporton DW. Asnjëherë këtu partia në pushtet AKP nuk i ka fituar zgjedhjet. Pak ditë para referendumit për kushtetutën si anë e mbanë Turqisë edhe këtu valëviten pankartat me portretin e presidentit Tayyip Erdogan. Mesazhi që ato përcjellin është, se "edhe kurdët duhet të votojnë me Po. Por gazetari Fuat Yasar e konsideron këtë një dëshmi më shumë, se kemi të bëjmë me një fushatë elektorale jo korrekte – veçanërisht në territoret kurde. „Edhe pse ka vetëm katër apo pesë vetë që dalin në rrugë në Diyarbakir për të bërë thirrje për një votë me Jo, vjen menjëherë policia dhe i shpërndan ata. Guvernatori e ka ndaluar çdo aktivitet publik, siç thotë, për arsye sigurie."

Kundërshtarët e ndryshimeve kushtetuese mund të takohen vetëm në mjedise të mbyllura. Edhe Yasar do të votojë me Jo. Si kurd ai ka frikë se mund të humbasë edhe më shumë të drejta, në rast se presidenti i shtetit në të ardhmen do të lejohet të qeverisë per dekret. Mbrojtja e minoriteteve si ai kurd as që është e përfshirë në kushtetutë. Babai i Yasarit, një politikan lokal kurd, ndodhet në burg qysh prej gjashtë muajsh. Djali i tij kërkon mbështetje tek opozita kurde. Por ndërkohë shumë kurdë ndodhen në burgjet turke, thotë Leyla Güven, nga partia pro-kurde HDP:„Ndërkohë mijëra anëtarë të partisë sonë HDP ndodhen në burg, ndër ta edhe kryetari i bashkisë. Kushtet atje janë të papërballueshme, ndaj shumë kanë hyrë në grevë urie."

Mbajtja në burg

Fuat Yasar e konsideron të padrejtë mbajtjen e babait të tij në burg: "Babai im gjithmonë ka bërë thirrje për paqe, por ai asnjëherë nuk ka bërë thirrje për dhunë, sikurse e akuzojnë. Ai ka bërë thirrje që të ulen armët dhe ka thënë gjithmonë publiksiht, që vetëm paqja ka një të ardhme."

Në territoret kurde organizata terroriste kurde PKK lufton me shtetin. Lagja Sur ishte para një viti skenë e luftimeve të ashpra. Tani qeveria e ka rafshuar këtë lagje me buldozerë. Banorët janë dëbuar.

Sidoqoftë ka edhe ndër kurdët një sërë simpatizantësh të qeverisë. Dega lokale e partisë në pushtet AKP nuk pranoi të japë intervistë, por aktivistët e saj preferojnë të flasin për të bërë reklamë për votën me Po. Qendra e informimit nuk tërheq shumë vizitorë, ndërkohë që ata thonë, se referendumi do të kishte edhe anën e vet pozitive për kurdët: Ahmet Ay, aktivist i fushatës "Evet" (Po)thekson: "Kushtetua e re parashikon një sërë lirishë të reja pavarësisht nga prejardhja etnike, besimi apo bindja politike. Por nëse një deputet ose kryebashkiak, qoftë ai kurd ose jo, mbështet një organizatë terroriste, atëherë ashtu si edhe në çdo shtet tjetër ai duhet të mbajë përgjigjësi për këtë."

Nxitja e militantëve

Përmes represionit edhe kundër opozitarëve paqësorë si familja Yasar, militantët mund të nxiten edhe më shumë, druan Fuati. Punëdhënësi i tij, një televizion i vogël kurd, pas ndalimit mund të transmetojë tani vetëm në internet. Edhe sa kohë do të vazhdojë kështu, ai nuk e di. Ai tani vetëm mund të shpresojë, që Erdogani me sistemin e tij presidencial te mos ia dalë mbanë:

"Qëkurse babai im është në burg, unë e kam të qartë, që më duhet të punoj edhe më shumë. Mesazhi im duhet të jetë: Ju mund ta mbani të izoluar babain tim, por nuk mund të bllokoni vullnetin tim për lirinë."

Yasar druan, se dhuna politike sërish do të shtohet, në rast se fiton pala që voton me Po. Shumica e kurdëve nuk shohin asnjë ofertë për paqe në fushatën elektorale për referendumin kushtetues.