Botë

Zaev: Një votë më shumë “kundër” do ta anulonte marrëveshjen me Greqinë

Descriptive Text

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se në rast në rezultati i referendumit, më 30 shtator, rezulton me një votë më shumë “kundër” se sa “për”, atëherë do të anulojë marrëveshjen me Greqinë për kontestin e emrit.

“Shumica e qytetarëve do të vendosë se si do të veprojnë deputetët. Do të vendosin ata që votojnë, ata që nuk votojnë nuk do të numërohen. Nëse do të ketë një votë më shumë kundër, ne do ta anulojmë marrëveshjen. Nëse shumica është ‘për’ duhet të presim që deputetëve pa dallim nëse janë në pushtet apo opozitë të vazhdojnë procesin sipas vullnetit të qytetarëve”, ka deklaruar Zaev.

Kreu i qeverisë tha se beson se referendumi do të jetë i suksesshëm, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit dhe i bëri thirrje liderëve të të gjitha partive që të deklarohen se si do të veprojnë në ditën e referendumit.

“Vendimet tona, i imi, i (Nikolla) Dimitrovit nuk do të kenë asnjë vlerë nëse populli nuk i voton. Kjo është e bukura e referendumit. Premtimi që të organizohet referendum rrjedh nga VRMO-DPMNE-ja qysh para 12 vjetëve, dhe ne si LSDM e kemi pranuar dhe është mirë që këtë premtim ta mbajmë. Në faqen 295 të programit të VMRO-DPMNE-së shkruan se ‘vetëm qytetarë në referendum do ta sjellim vendimin’, dhe unë pajtohem 100 përqind me këtë. Unë pajtohem me VMRO-në dhe besoj se kështu do të veprojmë në ditën e referendumit. Unë do të votoj ‘për’. Edhe liderët e tjerë duhet t’i tregojnë qëndrimet e tyre, pasi udhëheqim subjekte politike, përgjegjësia jonë është që të marrim vendime dhe ato duhet ti dinë qytetarët”, ka deklaruar Zaev.

VMRO-DPMNE-ja opozitare mbetet në qëndrimin e deritanishëm që qytetarëve t’i lihet vet të vendosin se si do të veprojnë në referendum, duke mos i ftuar të votojmë apo të mos votojnë, më 30 shtator.