Botë

Stoltenberg thotë se dera e NATO-së është e hapur për Maqedoninë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve të Maqedonisë, ka përsëritur se dyert e NATO-së janë të hapura dhe se në të mund të kalohet vetëm pas një referendumi të suksesshëm.

Sipas Stoltenbergut, anëtarësimi në aleancën e NATO-s, do të rrisë stabilitetin duke e bërë Maqedoninë një vend më të sigurt, transmeton Alsat.

“Marrëveshja historike për çështjen e emrit e ka hapur mundësinë për anëtarësim të plotë në komunitetin ndërkombëtarë përfshirë këtu edhe anëtarësim të plotë në NATO. Anëtarësimi në NATO do t’iu japë juve dhe fëmijëve tuaj sigurinë që vjen si pasojë e të qenit pjesë e aleancës më të suksesshme në botë dhe do t’i jep shtetit tuaj zë të barabartë në diskutimet tona dhe sqarim të barabartë në vendimet tona. Tani është koha që të dëgjohet zëri juaj. Kjo është mundësi që vjen ‘një herë në jetë’. Dera e NATO-s është e hapur por vetëm njerëzit e shtetit tuaj mund të vendosin që të kalojnë mes saj”, theksoi Stoltenberg.