Botë

Zaev e Osmani flasin me entuziazëm pas takimit me nënpresidentin Pence

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili u prit dje në Shtëpinë e Bardhë nga nënpresidenti Mike Pence, thotë se ka marrë mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara për rrugën e Maqedonisë drejt anëtarësimit në NATO.

Zaev në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës thekson shpresat se nëpresidenti Pence do të shkojë në Shkup vitin që vjen për të festuar anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike.

Kryeministri Zoran Zaev e vlerëson si historike vizitën në Shtëpinë e Bardhë ku u prit nga Nënpresidenti Mike Pence dhe takimin e quan të mrekullueshëm e shumë motivues për të dhe për qytetarët e Maqedonisë. “Kjo, ishte një lloj kapaku i shprehjes së mbështetjes që Amerika e jep në vazhdimësi dhe në veçanti para referendumit. Edhe një herë u dha sinjali se Shtetet e Bashkuara mbeten partneri strategjik serioz dhe i qëndrueshëm i Maqedonisë deri në referendum dhe pas tij. Disa herë gjatë takimit Nënpresidenti na uroi për lidershipin dhe u dakorduam që në vitin 2019 në Maqedoni ta festojmë së bashku anëtarësimin tonë në NATO”, tha Zaev.

Ai nënvizon se Pence ka theksuar pritshmëritë për pasqyrimin e integrimit ndaj zhvillimit ekonomik, ndërsa ka fituar bindjen për vazhdimin e përqendrimit të interesit amerikan në këtë pjesë Juglindore të Evropës dhe se kjo do të jetë në dobi të qytetarëve dhe të Republikës së Maqedonisë.

Ai shprehet se nga SHBA, vlerat demokratike të së cilës njihen në botë mund të përfitojë Maqedonia dhe populli i saj: “Me gjithë mbështetjen që vjen nga Amerika, nga Matthew Palmer, Wess Mitchell, gjenerali Scaparotti, Sekretari i Mbrojtjes Mattis dhe duke e përmbyllur me Nënpresidentin Pence, i cili i përcolli përshëndetjet e presidentit Trump, do të thotë një inkurajim i madh për ne”.

Ne – shton kryeministri maqedonas - jemi një vend i vogël por mik i madh i Amerikës dhe i botës së zhvilluar demokratike perëndimore ku synojmë të jemi edhe ne.

“Miqësia me SHBA mund të sjellë vetëm mirëqenie, përparim dhe lumturi tek qytetarët tanë të integruar në familjet e zhvilluara perëndimore”, thotë ai.

Kryeministri Zoran Zaev thekson rëndësinë e referendumit dhe suksesin e tij kundrejt sigurisë afatgjatë për Maqedoninë si pjesë e NATO-s, ndërsa shprehet se nuk ka alternativë për këtë.

“Nëse do të kishte alternativë dikush do ta përmendte. As që dua të mendoj për ndonjë alternativë në rast të mossuksesit në referendum sepse kjo më frikëson tërësisht, por unë jam një nga optimistët më të mëdhenj për suksesin e referendumit sepse e njoh popullin, i cili gjithnjë ka marrë vendime të drejta dhe të mençura”, thotë ai, duke shprehur shpresat për një të ardhme të ndritur për Maqedoninë.

Në lidhje me marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të vendit, Kryeministri maqedonas thotë se do të reflektohet në mënyrë pozitive në marrëdhëniet midis Repubikës së Maqedonisë dhe Greqisë.

“Të dyja palët kanë fituar, ndërsa maqedonasve u njihet identiteti dhe gjuha që kanë qenë aspirata shekullore të shumë gjeneratave më përpara”, sipas tij.

Zaev thekson miqësinë me vendin fqinj që do të pasqyrohet në më shumë fusha, përfshirë ekonominë.

Në takimin me nënpresidentin Pence ishte edhe zëvendës-kryeministri Bujar Osmani i ngarkuar me çështjet evropiane dhe ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov.

Osmani thotë se referendumi i 30 shtatorit do t’u mundësojë shqiptarëve të Maqedonisë që ta realizojnë synimin e tyre të shumëpritur për të qenë pjesë e Aleancës veriatlantike të NATO-s: “Me 30 shtator ne vendosim me dorën tonë, me votën tonë që të ndërpresim çdo aspiratë të Rusisë për ndikim në rajon dhe tek shqiptarët (e Maqedonisë). Ajo që Naimi (Frashëri) ka thënë dikur se ‘Dielli për shqiptarët lind në perëndim’, ka qenë pikërisht kjo ide, që shqiptarët të jenë pjesë e familjes perëndimore. NATO reflekton më së miri këtë përcaktim të shqiptarëve dhe është kënaqësi e privilegj, por është përgjegjësi që e mbajmë në supet tona të gjithë atyre gjeneratave që ne me dorën tonë më 30 shtator përcaktojmë që një herë e përgjithmonë shqiptarët do të jenë në NATO dhe me botën perëndimore”, shprehet Osmani.