Botë

Samiti i BE-së në Salzburg përballë Merkelin me Mayn

Samiti i BE-së në Salzburg vendos përballë njëra-tjetrës Angela Merkelin dhe Theresa May-n: kancelarja gjermane kërkon respekt e bashkëpunim për realizimin e Brexit, kryeministrja britanike këmbëngul për më shumë lëshime nga europianët ndërsa refuzon idenë e një referendumi të dytë.

Edhe pse publikisht konfliktet nuk shfaqen, ka zëra se dhe negociatori i BE-së Michel Barnier nuk po merret dot vesh me kolegun britanik.

Ku ka ngecur çështja? Merkel, thotë DW, përmend sigurinë, ku palët pajtohen, por nuk shprehet për temën kyçe të marrëdhënieve ekonomike.

May pretendon një treg të brendshëm për mallrat, gjë të cilën Bashkimi Europian nuk e pranon. Përpara darkës së përbashkët me krerët e shteteve dhe qeverive, May bëri thirrje për vullnet të mirë dhe angazhim që të arrihet finalizimi i një marrëveshjeje, e cila te jetë e pranueshme për të dyja palët.

Një tjetër pikë nevralgjike është kufiri irlandez. Barnier sjell propozime të reja, sipas të cilave do mund të zhvillohen kontrollet e mallrave në portet e largëta apo përmes regjistrimit teknik.

Londra nuk e pranon as teorikisht vendosjen e një kufiri në hapësirat ujore irlandeze. Afati kohor është i qartë: Në mes të nëntorit duhet të zhvillohet samiti përfundimtar për Brexit. Qeveria britanike ka edhe 6 javë kohë për të sqaruar pozicionet e saj.