Rusia ka akuzuar Izraelin se ka rrëzuar një nga aeroplanët e saj ushtarakë, si edhe e ka fajësuar për vdekjen e 15 personave që në bord.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha përmes një deklarate se pilotët izraelitë, duke kryer sulme mbi caqet në Siri, “kanë përdorur aeroplanin rus si mbulesë, duke e ekspozuar ndaj zjarrit të forcës ajrore të Sirisë”.
“Si rezultat i veprimeve të papërgjegjshme të ushtrisë izraelite, 15 shërbyes rusë vdiqën. Kjo absolutisht nuk korrespondon me frymën e partneritetit Rusi-Izrael”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Igor Konashenkov.
“Ne rezervojmë të drejtën për të marrë masa të duhura si përgjigje”, shtoi ai.
Kjo deklaratë u bë pak orë pasi ministria njoftoi se avioni Ilyushin Il-20 është zhdukur nga radari, rreth 35 kilometra larg bregdetit sirian, natën e shkuar.
Izraeli rrallë pranon kryerjen e sulmeve në Siri, por një zyrtar ushtarak izraelit kohët e fundit tha se kishte goditur më shumë se 200 objektiva iranianë në Siri gjatë 18 muajve të fundit.
Rusia ka nisur sulme ushtarake në Siri në vitin 2015, pas kërkesës së presidentit sirian, Bashar al-Assad, i cili ka mbetur në pushtet pavarësisht shtatë vjetëve luftë civile.
-
18 shtator 2018 15:21
-
Shpërndaje në: