Zv/kryeministri i Italisë i krahason migrantët afrikanë me “skllevër”

Zv/kryeministri i Italisë i krahason migrantët afrikanë me “skllevër”

14 shtator 2018 15:21

Kreu i ekstremit të djathtë në Itali, Matteo Salvini, njëherësh zëvendëskryeministër, i krahasoi migrantët afrikanë me skllevër.

Salvini, i cili udhëheq partinë Liga, i bëri komentet në një sesion me dyer të mbyllura të një konference për migracionin dhe sigurinë, e organizuar nga Austria, e cila mban presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian.

"Kam dëgjuar dikë të thotë se kemi nevojë për migrantë, sepse popullsia po plaket. Unë i shoh gjërat krejtësisht ndryshe", tha Salvini në vërejtjet e filmuara nga seanca dhe të postuara në profilin e tij në Facebook.

"Unë paguhem nga qytetarët që t'i ndihmoj të rinjtë tanë të fillojnë të kenë prapë fëmijë ashtu siç kanë pasur disa vite më parë dhe jo të çrrënjosim më të mirën e rinisë afrikane për të zëvendësuar evropianët që nuk kanë fëmijë... Ndoshta në Luksemburg kjo është e nevojshme. Në Itali është e nevojshme që t'iu ndihmohet fëmijëve tanë të kenë fëmijë, jo të kemi skllevër të rinj për t'i zëvendësuar fëmijët që nuk i kemi", tha Salvini.

Ministri për Punë të Jashtme dhe Migracion i Luksemburgut, Jean Asselborn, reagoi me zemërim duke thënë se Salvini "ka shkuar shumë larg".

"Në Luksemburg, kemi pasur dhjetëra migrantë italianë. Ata vinin si migrantë për të punuar në Luksemburg, në mënyrë që ju në Itali të kishit para për fëmijët tuaj", tha Asselborn.

Italia është destinacioni kryesor për migrantë që duan të arrijnë Evropën nga Afrika e Veriut. Qeveria e re populiste në Romë ka marrë qëndrim të ashpër ndaj tyre. /REL

Komentet

Shto koment

Të ngjashme