Botë

Lavrov thotë se Rusia ka shumë pikëpyetje rreth politikave të SHBA

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha të mërkurën se qeveria e tij ka shumë pikëpyetje lidhur me ato të cilat ai i quajti ide të paqarta dhe kontradiktore, që vijnë nga administrata e re e presidentit Donald Trump.

Zoti Lavrov i bëri komentet në fillim të një takimi në Moskë me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, raporton Zëri i Amerikës. Ai tha se është e rëndësishme që Rusia të kuptojë qëllimet e SHBA.

Zoti Lavrov iu referua gjithashtu goditjes nga ana e SHBA të një baze ajrore siriane javën e kaluar si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me armë kimike në Siri, duke e quajtur "shqetësues" reagimin amerikan.

Deklarata e hapjes e Sekretarit të Shtetit Tillerson ishte më e shkurtër, por, ashtu si zoti Lavrov, ai tha se bisedimet e së mërkurës vijnë në një moment të rëndësishëm dhe do të përfshijnë një diskutim të sinqertë të dallimeve dhe interesave reciproke të dyja palëve.

Kryediplomati amerikan tha se linjat e komunikimit mes dy vendeve "do të mbeten gjithmonë të hapura." Ai tha se dëshiron të kuptojë arsyen se përse mes Rusisë dhe SHBA ekzistojnë aspekte dallimesh të mprehta si dhe perspektivën për ngushtimin e këtyre dallimeve.

Zoti Tillerson shkoi në Rusi me më pak mjete sesa Uashingtoni dhe Londra shpresonin të kishin në dispozicion për të bindur Rusinë të braktisë mbështetjen ndaj presidentit sirian Bashar al Assad.

Por ai sjell një ultimatum të ashpër, pas njoftimeve që citojnë zyrtarë të të lartë amerikanë, të cilët thonë se Rusia ishte paraprakisht në dijeni të sulmit me armë kimike që vrau shumë njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë.

“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri," u tha zoti Tillerson gazetarëve përpara se të nisej për në Moskë.

Sulmi me armë kimike ngjalli protesta kudo në botë dhe u bë shkak për një goditje amerikane me raketa që shënoi një pikë kthese në qëndrimin e administratës së Presidentit Trump ndaj konfliktit në Siri që vazhdon prej shtatë vjetësh.