Botë

Në Berlin e Hamburg me protesta kërkojnë emigrantë, “mos i lini të mbyten në det”

Descriptive Text

Në kohën kur Italia u bllokon hyrjen, e në pjesë të ndryshme të Evropës është rritur pakënaqësia ndaj vërshimit të emigrantëve, gati 20 mijë vetë marshuan në Berlin dhe Hamburg me një kërkesë të pazakontë.

Ata duan që Gjermania të marrë më shumë refugjatë të mbetur në det. “Hapni portet për anijet e bllokuara në Mesdhe”, ishte thirrja drejtuar autoriteteve në qytetin verior të Hamburgut.

Gjatë serisë së demonstratave të organizuara nga grupi i të drejtave të njeriut “Seebrücke”, disa nga protestuesit mbanin veshur jelekë të verdhë shpëtimi, në shenjë solidariteti me mijëra emigrantët që largohen nga pjesë të ndryshme të Afrikës, duke marrë rrugën e mbushur plot rreziqe të Evropës.

“Seebrücke në vend të Seehofer” shkruhej në disa prej pankartave, një referencë e qartë kjo ndaj ministrit të Brendshëm, ndjekës të linjës së ashpër. Marshuesit në Hamburg kërkuan shpëtimin e emigrantëve në det. Në një linjë me ta ishte dhe peshkopja protestante e këtij qyteti, Kirsten Fehrs, shkruan Tch.

“Ne nuk duhet të lejojmë që refugjatët të mbyten në det, e as që të keqtrajtohen. Nëse lejojmë që kjo të ndodhë, do të thotë se jemi edhe vet në rrugën drejt barbarisë”, tha Fehrs.

Edhe në Berlin, grupe njerëzish marshuan nga sheshi “Molkenmarkt” deri në Portën e Brandenburgut, me thirrjet që kryeqyteti gjerman të kthehet në një parajsë të sigurt për refugjatët.