Botë

Facebook “zhduk” zyrtarët ushtarakë të Mianmarit nga rrjeti social

Pas raportit të OKB-së, që fshikulloi drejtuesit më të lartë ushtarakë të Mianmarit, ndaj të cilëve kërkon të hetohet për gjenocid, ndaj tyre ka marrë masa edhe rrjeti social më i përdorur në botë, Facebook.

Këtë të hënë, drejtues të Facebookut kanë njoftuar se kanë fshirë llogaritë e disa zyrtarëve të caktuar ushtarakë të Mianmarit nga rrjeti social, si dhe një llogari nga Instagrami, duke parandaluar në këtë mënyrë përhapjen e “urrejtjes dhe keqinformimit”, pas një procesi rishqyrtimi të përmbajtjeve të publikuara prej tyre.

“Specifikisht kemi bllokuar 20 individë dhe organizata të Mianmarit nga Facebook, përfshi këtu gjeneralin e lartë Min Aung Hlaing, komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si dhe rrjetin televiziv Myaëady të ushtrisë”, shkruhet në komunikatën e Facebookut.

“Në total kemi fshirë 18 llogari në Facebook, një në Instagram dhe 52 faqe në Facebook, të cilat ndiqeshin nga thuajse 12 milionë njerëz”, vijon më tej njoftimi i rrjetit social.

Rrjeti më i madh i medies sociale në botë tha gjithashtu se kishte hequr 46 faqe dhe 12 llogari të tjera personale, për përfshirje në një sjellje të koordinuar joautentike në Facebook.