Botë

Qeveria greke përcakton kushtet për xhamitë

Descriptive Text

Shteti grek përcakton kushtet dhe kriteret e funksionimit të xhamive në Greqi. Për herë të parë është publikuar një memo prej 48 faqesh nga Ministria e Kulturës për statusin e objekteve myslimane të kultit.

Duket se me këtë vendim, Athina kërkon jo vetëm të marrë nën kontroll situatën nga rreziku i radikalizmit islamik, por edhe të shmangë ndikimin turk në përzgjedhjen e riteve fetare që praktikohen në këto objekte në zonën e Trakës.

Dokumenti përkufizon kushtet dhe vendet për hapjen e xhamive myslimane në zonat e tjera të Greqisë, si dhe ruajtjen e tyre.

Qeveria greke konsideron se objektet myslimane funksionojnë në një gjendje kaosi. Në të gjithë vendin ka me dhjetëra ambiente të shndërruara ilegalisht në xhami nga emigrantët e ardhur kohët e fundit.

Por me vendimin e marrë përkufizohet edhe statusi i xhamive në zonën e pakicave myslimane që jetojnë në krahinën e Trakës.

Deri pak kohë më parë, Athina konsideronte se nuk ndërhynte mjaftueshëm në funksionimin e këtyre objekteve, duke lejuar jozyrtarisht influencën turke në ndërtimin e xhamive, por edhe në zgjedhjen e myftinjve që kryenin ritet në to. Kjo memo u parapri vitin e kaluar nga votimi në Parlament i projektligjit për ndërtimin e xhamisë së parë zyrtare në Athinë, me të cilin qeveria shpresonte të largonte rrezikun e terrorizmit.

“Ekzistenca e xhamive joformale është një turp për vendin dhe për myslimanët. Është gjithashtu një rrezik i vazhdueshëm për sigurinë e të gjithëve. Xhamia në Athinë është vetëm hapi i parë. Ne jemi tashmë në zbatimin e hapit të dytë. Kemi dhënë lejen për 4 xhami, një nga të cilat është në Tebë”, kishte deklaruar pas miratimit ministri i Arsimit.