Botë

Vazhdon “maratona” e Kuvendit të Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë sot vazhdoi seancën e dhjetë konstituive, duke mos mundur të kalohet në pikën e katërt të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e cila pikë po pengohet nga kryesuesi i Trajko Veljanoski.

Deputetët e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), përsëri e paralajmëruan kryesuesin e seancës Trajko Veljanoski, se po shkel Rregulloren, që nuk po pranon kalimin në pikën tjetër.

Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski gjatë debatit kërkoi nga kryesuesi i seancës që të respektohet Rregullorja dhe të kalojë në pikën e rendit të ditës, gjegjësisht në propozimin për zgjedhjen e Komisionit dhe kryetarin e Kuvendit.

“Kërkoj në bazë të nenit 78 paragrafi 2, me mbështetjen e 10 deputetëve të kalohet në pikën 4 të rendit të ditës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Përderisa nuk dëgjoj argument i cili do të hedh poshtë këtë nen, deri atëherë do të kërkoj nga Trajko Veljanovski të vë në votim këtë pikë”, tha Spasovski, shkruan KP.

Vlladimir Gjorçev nga VMRO-DPMNE-ja, reagoi duke thënë se kërkesa e LSDM-së për kalimin në pikën për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, asnjëherë nuk ka ndodhur më parë.

“Këtë interpretim që e ka LSDM-ja neve na përgjigjej 1000 herë në 10 vitet e kaluara. Ti ndërpresim diskutimet që ata i kanë patur, ti kalojmë ligjet më shpejtë, por ajo asnjëherë nuk ndodhi sepse mirë e dinë sepse nuk është ashtu dhe nuk mban arsyetimi i tyre. Prandaj çfarë nëse një herë zbatohet kjo, atëherë nuk e di se ku do të përfundojmë”, tha Gjorçev, duke shtuar se kanë pasqyrë të qartë në Rregulloren.

Vesel Memedi nga Aleanca për Shqiptarët, tha se deputetët e VMRO DPMNE-së po manipulojnë me qytetarët.

“Tërë kohës i referoheni edhe Platformës së shqiptarëve, me qëllim që të krijoni reaksion tjetër tek popullata maqedonase, se kinse do të ndodh diçka e dhunshme në vend. Nuk është në rregull kjo. Ky manipulim të psikologjisë sociale dhe fenomeneve të psikologjisë sociale, nuk do të kalojnë”, deklaroi Memedi.

Vazhdimi i seancës konstituive pason menjëherë pas iniciativës që e dorëzoi LSDM-ja, e mbështetur nga BDI-ja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët. Kjo iniciativë e shumicës së re parlamentare numëron 67 deputetë nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit të Maqedonisë.