Botë

Arrestohet konsulli i nderit i Maqedonisë në Barcelonë - dyshohet për vrasjen e dy fëmijëve të tij

Rasti kundër konsullit të nderit të Maqedonisë në Barcelonë, Mario Cesar Deus Yela, i akuzuar për vrasjen e binjakëve të tij, është dëgjuar sot në gjykatën e Wynbergut, Kejptaun, Afrikë e Jugut.

Deus Yela është arrestuar të enjten e kaluar për vrasjen e dy fëmijëve të tij 3-vjeçarë në një shtëpi pushimi me qira në Prince Road, Hout Bay, Kejptaun.

Deus Yela është pritur të paraqitet para gjykatësit Goolam Bawa, por avokati i tij William Booth ka paraqitur një certifikatë mjekësore që mbështet mungesën e tij në gjykatë.

Pas arrestimit të tij, i akuzuari është përfshirë në një incident të therjes me thikë me ç’rast ka marrë lëndime, derisa ishte nën mbrojtje policore. Dyshohet se i akuzuari ka tentuar ta vrasë veten, transmeton Koha.net.

“I akuzuari është nën përkujdesje mjekësore në spitalin Victoria nën përkujdesjen policore. E kam vizituar në spital dhe ai ka marrë disa lëndime goxha serioze. Është transferuar në spitalin Groote Schuur për disa teste gjatë fundjavës dhe është kthyer prapë. Ai ka marrë lëndime serioze në abdomen”, ka thënë Booth në gjykatë.

Trupat e dy fëmijëve ishin gjetur nga nëna e tyre, Julia Engelhorn.

Policia ka thënë se rrethanat e vdekjes së binjakëve, një vajze e një djali, janë duke u hetuar.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë po shqyrton opsionin që konsullit të nderit në Barcelonë, Mario Deus, t’i merret statusi.

MPJ ka thënë se pret konfirmim zyrtar nga ambasada në Madrid, për shkrimet në shtypin spanjoll se konsulli i nderit i Maqedonisë në Barcelonë i ka vrarë dy fëmijët e tij të mitur.

Mario Deus u emërua konsull i nderit i Maqedonisë në Barcelonë në vitin 2012.