Botë

Putini dhe Merkeli takohen në Berlin më 18 gusht

Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Gjermaninë, më saktësisht do të shkojë në Berlin këtë fundjavë, për t’u takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Këtë e ka konfirmuar për televizonin rus RT një zëdhënës i qeverisë ruse dhe një i qeverisë gjermane, transmeton Koha.net.

“Kancelarja Angela Merkel do ta pres në vizitë presidentin rus Putin më 18 gusht”, thuhet në përgjigjen e Steffen Seibert nga qeveria gjermane.

Ai nuk ka elaboruar detajet e kësaj vizite, por ka thënë se do të diskutohen çështjet relevante të politikës së jashtme dhe se do të jetë takim i nivelit të lartë.

Merkel dhe Putin janë takuar herën e kaluar në Soçi në muajin maj.

Në korrik, Merkel dhe ministri i saj i Jashtëm, Heiko Maas, kanë zhvilluar takime në Berlin me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe pjesëtarë tjerë të delegacionit rus.

Marrëdhëniet janë tenisionuar në mes të Rusisë dhe Perëndimit për një varg çështjesh, duke përfshirë konfliktet në Siri dhe Ukrainë.

Rusia është duke mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës, derisa luftimet në këtë pjesë kanë lënë të vdekur 10,300 persona nga prilli i vitit 2014.

Moska po ashtu i ka dhënë mbështetje vendimtare presidentit sirian, Bashar al-Assad në luftën civile në Siri.

Qindra mijëra persona janë vrarë prej nisjes së konfliktit në Siri, në mars të vitit 2011.