Botë

Trump: Nuk kam bërë asnjë lëshim para Putinit në Helsinki

Presidenti Donald Trump tha të hënën se “nuk ka bërë asnjë lëshim” para Presidentit Putin në takimin e javës së kaluar në Helsinki, megjithëse nuk janë bërë publike shumë detaje për takimin kokë-më-kokë mes dy udhëheqësve.

“Folëm për përfitime të përbashkëta për të dyja vendet në të ardhmen,” shkruan presidenti në Twitter. “U morëm vesh shumë mirë, gjë që është shumë pozitive, por çfarë t’i bësh medias së korruptuar!”

Ai fajësoi median si “Lajme të Rreme” lidhur me komentet negative për takimin e tij me zotin Putin.

Dy presidentët zhvilluan një takim me dyer të mbyllura për më shumë se dy orë vetëm në praninë e përkthyesve. Që pas takimin, në raste të ndryshme Presidenti Trump ka thënë se dy udhëheqësit diskutuan ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016, luftën kundër terrorizmit global, sigurinë e Izraelit, nevojën për të mbajtur nën kontroll garën e armëve bërthamore mes dy vendeve, aneksimin rus të Krimesë, sulmet kibernetike, tregtinë, procesin e paqes në Lindjen e Mesme, armët bërthamore të Koresë së Veriut dhe të tjera.

Por nuk janë bërë të ditura hollësi mbi vendimet që mund të kenë marrë dy udhëheqësit. Zoti Trump ftoi javën e kaluar Presidentin Putin për vizitë pas disa muajsh në Shtëpinë e Bardhë me qëllimin për një takim tjetër mes tyre.

Pasi u kthye nga takimi i Helsinkit, Presidenti u prit me kritika të forta, si nga republikanët e partisë së tij, ashtu edhe nga demokratët, për komentet dhe qëndrimin e tij gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Vladimir Putinin. Gjatë konferencës, Presidenti Trump mbështeti përgënjeshtrimin “me forcë dhe ngulm” të Putinit ndaj akuzave se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016, në vend që të mbronte konkluzionet e shërbimeve amerikane të zbulimit për ndërhyrje nga Moska.

Trump ka bërë komente të përziera lidhur me takimin e Helsinkit, duke thënë se ka pranuar përfundimet e agjencive amerikane të zbulimit që Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje, ndërkohë që ka këmbëngulur se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë mes fushatës së tij dhe Rusisë gjatë zgjedhjeve.

Të dielën në mbrëmje, presidenti Trump e cilësoi argumentin se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje “një sajesë e madhe” dhe fajësoi pararendësin e tij, Barak Obama se nuk kishte vepruar për ta ndalur këtë aktivitet, duke argumentuar se Obama mendonte që do të fitonte Hillary Clinton në zgjedhje.

“Pra, Presidenti Obama e dinte ç’po bënte Rusia para zgjedhjeve. Përse nuk bëri diçka? Përse nuk informoi fushatën tonë? Pasi ishte e gjitha një sajesë, prandaj. Ai mendonte se do të fitonte Hillary Hileqarja!”

Të hënën, Presidenti Trump u hodh në sulm kundër Prokurorit Special Robert Mueller lidhur me hetimin mbi rolin dhe lidhjet që mund të ketë pasur Moska me fushatën Trump dhe nëse presidenti pengoi drejtësinë duke pushuar nga detyra ish-drejtorin e FBI-së, James Comey në një kohë kur zoti Comey po drejtonte hetimet mbi ndërhyrjet ruse.

Udhëheqësi amerikan sulmoi FBI-në katër herë për autorizimin që kishte marrë nga gjykata për të përgjuar Carter Page, një ndër ish-këshilltarët e presidentit, në lidhje me kontakte të dyshimta me rusët. Carter Page nuk është akuzuar zyrtarisht dhe të dielën tha në një intervistë për kanalin CNN se akuzat ndaj tij për lidhje me rusët janë qesharake dhe të pavërteta.

Presidenti Trump e ka cilësuar hetimin si të turpshëm për Amerikën. Duhet ta ndalin menjëherë “këtë gjueti të diskredituar shtrigash!”