Botë

Trump i beson Putinit se Rusia nuk ndërhyri në zgjedhjet amerikane

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, janë takuar zyrtarisht në kryeqytetin finlandez, Helsinki.

Takimi i dy liderëve u realizua në kohën kur marrëdhëniet SHBA-Rusi janë më të tensionuara se kurrë qysh nga koha e Luftës së Ftohtë.

Kjo, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, intervenimit ushtarak të Moskës në lindje të Ukrainës dhe në Siri, si dhe ndërhyrjes së supozuar në zgjedhjet në SHBA.

Në një konferencë të shkurtër për media, të dy liderët folën për planet e së ardhmes.

Trumpi dhe Putini janë optimistë për përmirësimin e raporteve.

E, për raportet e dobëta më Moskën, Trumpi ka fajësuar politikanët amerikanë.

Putin, në anën tjetër, ka thënë se me Trumpin kanë kontakte të rregullta.

Sipas tij, Moska dhe Uashingtoni duhet të fokusohen edhe në zgjidhjen e shumë problemeve në botë.

Ky është samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve që nga prilli i vitit 2010.

Para takimit, Trumpi tha se hetimet e agjencive amerikane për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, i kanë përkeqësuar rëndë marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës.

Republikani Trump ishte nën presion nga politikanët amerikanë për të mos marrë pjesë në këtë takim.

Kjo pasi më 13 korrik, Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi 12 zyrtarë të Inteligjencës ruse për rolin e tyre në dëmtimin e Partisë Demokratike gjatë fushatës.

Finlanda edhe më herët ka qenë nikoqire e takimeve ndërmjet presidentëve rusë dhe amerikanë.


Ka përfunduar takimi Trump-Putin, zgjati 2 orë e 10 minuta

Takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vlladimir Putin në Helsinki ka përfunduar pas dy orë e dhjetë minutash, raporton Reuters.

Takimi që ishte planifikuar të zgjaste 40 minuta ka zgjatur më shumë se dy orë, ndërsa ka filluar me 55 minuta vonesë për shkak të presidentit rus.

Presidenti amerikan pas takimit ka thënë shkurt “Gjithçka filloi mirë” pas së cilës të dy presidentët kanë shkuar së bashku në drekë.

Para takimit Trumpi dhe Putini së bashku kanë dalë para mediave


Nis takimi i Trumpit me Putinin, presin ta përfundojnë me “marrëdhënie të jashtëzakonshme”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, nisën takimin në Helsinki.

Trumpi e përgëzoi Putinin për organizimin e suksesshëm të Kampionatit Botëror të Futbollit, përpara se të përvijonte disa nga temat që do të prekin gjatë bisedimeve.

"Dua t'ju përgëzoj për një Kampionat vërtet të mirë, një nga më të mirët", tha Trumpi, duke shtuar se me Putinin do të diskutojë për "gjithçka", nga tregtia deri te Kina.

Ai tha se shpreson se SHBA-ja dhe Rusia do të përfundojnë me "marrëdhënie të jashtëzakonshme" dhe se "bashkëpunimi me Rusinë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe", transmeton rel.

Është ky samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010.

Përpara takimit, Trump tha se hetimet e agjencive amerikane mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, i kanë përkeqësuar rëndë marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk kanë qenë kurrë më të këqija, falë shumë viteve të marrëzisë dhe budallallëkut të SHBA-së dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’”, shkroi Trump në Twitter, duke iu referuar hetimeve që po bën këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.

Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila i ka akuzuar kundërshtarët e brendshëm të Trumpit dhe establishmentin amerikan për pengimin e përpjekjeve për përmirësimin e marrëdhënieve, e pëlqeu postimin e Trumpit.

Takimi i dy liderëve ndodh në kohën kur marrëdhëniet SHBA-Rusi janë më të tensionuara se kurrë qysh nga koha e Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, intervenimit ushtarak të Moskës në lindje të Ukrainës dhe në Siri, si dhe ndërhyrjes së saj në zgjedhjet në SHBA.

Gjatë një takimi me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, përpara takimit me Putinin, Trump tingëlloi pozitiv. I pyetur se çfarë do t’i thotë Putinit, ai tha: “Do të jemi mirë, faleminderit”.

Në këtë takim, Trump po ashtu tha se “NATO nuk ka qenë kurrë më e fuqishme dhe kurrë më e bashkuar”. Komentet pasojnë samitin e aleancës në Bruksel, më 11 dhe 12 korrik, ku vendet anëtare janë pajtuar që të rrisin shpenzimet në mbrojtje.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha para takimit Trump-Putin se Moska nuk pret që ai të jetë i lehtë.

“Natyrisht se Siria do të diskutohet nga dy presidentët. Të gjithë e dimë se çfarë mendon Uashingtoni për Iranin. Por, në të njëjtën kohë, Irani është partner i yni i mirë në tregti, bashkëpunim ekonomik dhe dialog politik. Pra, nuk do të jetë një shkëmbim i lehtë i pikëpamjeve”, tha Peskov.

Rusia, megjithatë, shpreson se samiti do të jetë "hapi i parë" në tejkalimin e krizës në marrëdhënie, tha ai.

“Presidentët Trump dhe Putin e respektojnë njëri-tjetrin dhe shkojnë mirë. Nuk ka agjendë të qartë. Do të përcaktohet nga vetë krerët e shteteve”, shtoi Peskov.

Samiti në Helsinki po ashtu zhvillohet nën hijen e një mjedisi të ndarë politik në Shtetet e Bashkuara, ku Mueller po udhëheq hetimet për kontakte të mundshme të paligjshme midis agjentëve rusë dhe fushatës së Trumpit në vitin 2016.

Më 13 korrik, Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se një juri e madhe i ka akuzuar 12 zyrtarë të inteligjencës ruse për rolin e tyre në piraterimin e Partise Demokratike në SHBA dhe për publikimin e emailve të vjedhura dhe informacioneve të tjera gjatë fushatës presidenciale.

Shtëpia e Bardhë, më 14 korrik, i refuzoi thirrjet e disa anëtarëve të Kongresit për të anuluar takimin Trump-Putin si pasojë e akuzave, që tani kanë rritur presionin e brendshëm mbi Trumpin që të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Putinit.