Botë

Së paku 54 persona të vrarë në një sulm ajror në Siri

Descriptive Text

Të paktën 54 persona janë vrarë, mes tyre luftëtarë të Shtetit Islamik dhe 28 civilë si pasojë e një sulmi ajror, në provincën lindore të Sirisë, Deir Ezzor.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani njoftoi se të enjten vonë në mbrëmje u godit një fabrikë akulli pranë kufirit me Irakun, një zonë që kontrollohet nga grupi i Shtetit Islamik, ku jetojnë edhe dhjetëra civilë.

Sipas organizatës nuk është e qartë nëse sulmi u krye nga avionë që vinin nga Iraku apo koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja.

Agjencia siriane e lajmeve SANA fajësoi për sulmin ajror, koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, duke raportuar vrasjen e 30 personave dhe plagosjen e shumë të tjerë.

Agjencia e lajmeve Reuters citoi zyrtarë të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të kenë thënë se forca të tij apo partnere "mund të kenë kryer sulme në afërsi" të zonës ku sipas Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut kanë ndodhur vrasjet.

Në të kaluarën koalicioni ka kryer sulme kundër zonave të kontrolluara nga IS-isi në Siri dhe ka mbështetur luftëtarët e udhëhequr nga kurdët, në luftën kundër grupit ekstremist. Kohët e fundit avionë luftarakë irakenë kanë kryer gjithashtu sulme në Sirinë lindore.

ISIS-i ka humbur kontrollin e shumicës së territorit në Siri, por mban ende nën kontroll disa zona, përfshirë dhe Deir Ezzor-in.