Mediat: Përgatitje për takimin Trump-Putin

Mediat: Përgatitje për takimin Trump-Putin

21 qershor 2018 15:26

Mediat raportojnë se po zhvillohen përgatitje për një takim mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin, duke cituar dy persona që kanë dijeni mbi çështjen, por që kanë kërkuar të mbeten anonimë.

Takimi pritet të zhvillohet gjatë vizitës së zotit Trump në Evropë muajin e ardhshëm. Të dy udhëheqësit mund të takohen përpara takimit të NATO-s që mbahet në datat 11 dhe 12 korrik në Bruksel, ose pas vizitës së Presidentit Trump në Britani, dy ditë më vonë.

Të mërkurën Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë lidhur me këtë çështje dhe Këshilli Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës për komente.

Zëdhënësi i zotit Putin, Dmitri Peskov gjithashtu nuk pranoi të komentojë gjatë një konferencë me gazetarët të enjten, por ai tha se këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton pritet të vizitojë Rusinë javën e ardhshme për të diskutuar rreth përgatitjeve.

Ende nuk dihet se ku do të zhvillohet takimi, por sipas disa mediave të huaja, udhëheqësit mund të takohen në një nga kryeqytetet evropiane, pas samitit të NATO-s. Sipas disa raporteve, Vjena është një vend i mundshëm.

Zoti Trump ka shprehur interes në rivendosjen e statusit të zotit Putin në skenën botërore. Më parë gjatë këtij muaji, në takimin e grupit të shtatëshes që u mbajt në Kebek, ai propozoi që Rusia të ripranohet në Grupin e Tetë vendeve më të industrializuara të botës. Anëtarësimi i Rusisë u pezullua pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme