Ivanka Trump i kërkoi të atit ta ndalë ndarjen e familjeve të emigrantëve

Ivanka Trump i kërkoi të atit ta ndalë ndarjen e familjeve të emigrantëve

20 qershor 2018 21:18

Ivanka Trump, vajza dhe këshilltare e presidentit amerikan, do ta ketë këshilluar të atin për t’i dhënë fund ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre emigrantë të arrestuar në kufi, sipas një dëshmie jo të drejtpërdrejtë, por është treguar e rezervuar ndaj çdo kritike publike.

Presidenti përmendi faktin që vajza e tij Ivanka e kishte këshilluar për t’i dhënë fund kësaj praktike dhe ai e pranoi se ishte i vetëdijshëm që kjo duhej të ndërpritej pasi pamjet janë të dhimbshme dhe se po kërkonte një zgjidhje ligjore, bëri të ditur Carlos Curbelo, cituar nga televizioni CNN, përfaqësues republikan i Floridës, pas takimit që u zhvillua të martën midis deputetëve të partisë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Donald Trump, shkruan atsh.

“Vajza e tij ka parë pamjet dhe njoftoi se për një sërë arsyesh ne duhet ta zgjidhim këtë çështje”, u shpreh gjithashtu Chris Collins, deputet republikan i Nju Jorkut, gjithashtu i pranishëm në takim, për të biseduar rreth një reforme për emigracionin.

Ivanka Trump nuk reagoi publikisht ndaj praktikës mjaft të diskutueshme të ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre pa dokumenta, që ka shkaktuar një sërë kritikash, si në nivel kombëtar dhe atë ndërkombëtar.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme