BETIMI PËR DREJTËSI

Krimet e pazbuluara ndaj gazetarëve

14 gazetarë të vrarë e zhdukur pasluftës, s’ka asgjë konkrete për zbulimin e vrasësve të Xhemail Mustafës

Në Kosovë vrasje të shumta vazhdojnë të mbesin enigmatike. Në mesin e shumë vrasjeve të pazbuluara mbesin ato të gazetarëve. Prej përfundimit të luftës, sipas të dhënave të OSBE-së, llogaritet se janë vrarë dhe zhdukur 14 gazetarë, rastet e të cilëve nuk janë zbardhur asnjëherë.

Në mesin e vrasjeve të pazbuluara tash e 22 vjet është edhe ajo e gazetarit dhe politikanit, Xhemail Mustafa. Ai ishte vrarë me armë zjarri, para banesës së tij, në lagjen “Dardania” në Prishtinë”, në nëntor të vitit 2000.

E bija e tij, Berianë Mustafa ka thënë se për zbulimin e kësaj vrasjeje ka pasur spekulime në media herë pas here, por asnjëherë nuk ka pasur asgjë konkrete.

“E rëndësishme janë udhërdhënësit, ajo pjesa që e ka hartuar dhe e ka pas idenë që të ekzekutohet Xhemail Mustafa, por edhe njerëz të tjerë të LDK-së. Por Xhemail Mustafa në rastin si gazetar dhe si politikan, për mua është e rëndësishme me u dënu njerëzit që kanë qëndruar mbrapa idesë për ekzekutimin e tij”, ka thënë vajza e gazetarit të vrarë.

Ajo ka thënë se kanë dyshime personale, por jo edhe fakte të prekshme të cilat do mund t’i depononin në Prokurori.

“Por, shto edhe faktin që krejt këto 20 vjet të frymës politike, ndikimin e politikës në gjykata që e ka pas, nuk ke pas fakte, gjyqësia nuk e ka bo punën e vetë edhe situata është e njëjtë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë që, tani janë bërë më shumë se një dekadë, dhe askush nga institucionet e drejtësisë, nuk e ka kontaktuar, për vrasjen e babait të saj.

Ajo ka thënë se kanë pasur një apo dy vizita të Prokurorisë së UNMIK-ut e pastaj kanë pasur edhe ftesë nga Prokuroria e EULEX-it me pyetje nëse kanë mbajtur në mend diçka prej kohës kur ishte vrarë Xhemail Mustafa.

Ky është një prej rasteve të vrasjeve që tash e 22 vjet, mbetet i pazbuluar nga organet e drejtësisë.

Gazetari thotë se sulmi ndaj tij ishte i planifikuar në mënyrë të sofistikuar

Në natën mes 24 dhe 25 shkurtit 2021, gazetari Visar Duriqi ishte sulmuar fizikisht para banesës së tij. Sulmi ishte kryer nga tre persona, të cilët i kishin shkaktuar lëndime të rënda, duke e lënë gazetarin pa katër dhëmbë në gojë. Goditjet ndaj tij ishin bërë edhe më shufër hekuri.

Mirëpo, edhe pse janë bërë gati dy vjet nga ky rast, autorët e këtij sulmi ende nuk dihen. Sulmi, sipas Duriqit, është kryer në mënyrë të planifikuar.

“Me Policinë që kam pas takim më kanë thënë që, ata kanë mbledh numër të konsiderueshëm të provave, madje edhe antenat e valëve ku është kryer sulmi. I kam marrë krejt komunikimet me sms, Viber, Whatsapp kanë arrit me marrë komunikimet kur është kryer sulmi dhe janë nja 2 – 3 mijë faqe komunikime. Problemi është që personat të cilët e kanë kryer sulmin kanë qenë profesionistë sepse të njëjtit nuk kanë pas telefona me vete”, ka thënë Duriqi teksa ka shpjeguar rastin e tij.

Ai ka thënë se sulmuesit e tij nuk shihen në kamerat e sigurisë dhe e kanë njohur mirë terrenin ku kanë kryer sulmin.

Sulmin ndaj Duriqit, edhe Koordinatori për trajtimin e rasteve të gazetarëve, prokurori Bashkim Zeqaj e ka cilësuar si rast të sofistikuar.

Në anën tjetër, gazetari Duriqi, në ushtrimin e profesionit të tij, shqetësimin më të madh e ka me injorimin e rasteve të gazetarëve dhe të mediave nga ana e institucioneve e drejtësisë.

Gazetarja thotë se askush nga organet e drejtësisë nuk e kontaktoi, pavarësisht se u kërcënua edhe me jetë

Gazetarja e grupit “KOHA”, Saranda Ramaj, për shkak të hulumtimeve gazetareske, vazhdimisht është kërcënuar. Ajo ka thënë se për shumë vite është sfiduar dhe kërcënuar me jetë, që të ndalë raportimet që kanë prekur tema të ndjeshme. Për kërcënimin ndaj saj, gazetarja Saranda Ramaj ka thënë se nuk e ka kontaktuar askush nga organet e drejtësisë.

Ajo ka vlerësuar se është paradoks se si është ngritur aktakuza nga prokurori, pa i dërguar ftesë apo pa e telefonuar asnjëherë. Për më tepër, sipas saj, është paradoksale që as nuk është njoftuar nga gjykata se lënda është parashkruar.

“Madje, edhe kur kam kërkuar informata në prokurori të shtetit më kanë thënë nuk po mundemi me gjet se një nga rastet e tua nuk është identifikuar si sulm ndaj gazetarëve. Nuk mund të kemi informata kthyese, duhet ta kemi patjetër numrin e denoncimit. Kjo do të thotë që komunikimi i gazetarëve me institucionet e drejtësisë shkëputet po sa ta kryen denoncimin”, ka thënë Ramaj.

Ajo ka theksuar se kur këtë rast e kishte raportuar në Polici, zyrtari policor i kishte thënë, “a ti bash me qeto pate punë a”.

“Ka qenë një polic, kur unë e denoncova rastin, edhe më thojke po e parafrazoj, ka qenë që ‘e ti bash më qeto pate punë a’, ‘a nuk kishe temë tjetër’. Edhe unë tentoja me ia sqaru që sot kam me këtë e nesër me dikë tjetër sepse nuk është e përcaktuar që ne e bëjmë një orar me temat që merremi”, ka treguar Ramaj.

Për këtë rast, prokurori Bashkim Zeqaj ka thënë se është ngritur aktakuzë kundër një personi dhe se Prokuroria e ka kryer punën e saj. Por, kjo punë ka shkuar huq, pasi rasti është hedhur, për shkak se lënda të vjetërsohet.

Shtatë aktakuza u ngritën më 2022 në rastet kur viktima ishin gazetarët

Pavarësisht që gazetarët ankohen dhe akuzojnë sistemin e drejtësisë se rastet ndaj tyre nuk po trajtohen me seriozitet, prokurori Bashkim Zeqaj, është shprehur i bindur se Prokuroria këto raste është duke i trajtuar me prioritet.

Madje, duke ju referuar vitit 2022, ai ka thënë se ka qenë vit i suksesshëm në këtë drejtim.

“Nëse i referohemi vitit 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar 12 raste, nga të cilat ju njoftojmë se vetëm në vitin 2022 i kemi ngritur 7 aktakuza ndaj të pandehurve ku viktima ka qenë gazetarë dhe dy lëndë i kemi të mbyllura me raport për mbyllje të rastit kurse të tjerat janë në proces e sipër nga ana e prokurorëve”, ka treguar Zeqaj.

Sipas tij, në vitin 2021 ka pasur rritje të rasteve ku kanë ngritur tetë aktakuza.

Në anën tjetër, i pyetur se sa raste janë zbuluar deri më tani nga ana e Prokurorisë, Zeqaj ka përmendur vetëm disa prej tyre.

Mulliqi: Numri i rasteve të gazetarëve të kërcënuar edhe më i lartë sesa raportohet

Ekipi “Betimi për Drejtësi” përveç të dhënave të siguruara nga raporti i OSBE-së, që flet për vrasjen dhe zhdukjen e 14 gazetarëve që nga përfundimi i luftës në Kosovës, ka hulumtuar rreth numrit të rasteve të sulmeve, kërcënimeve e kanosjeve ndaj gazetarëve, por që asnjë prej institucioneve të drejtësisë nuk ka poseduar të dhëna konkrete.

Mirëpo, edhe të dhënat që ekzistojnë, sipas drejtoreshës së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi, janë shqetësuese. Ka shtuar se mund të ketë shumë më shumë raste sesa ato që janë raportuar.

“Çfarë është akoma më shqetësuese, sepse ne besojmë, nuk është as afër numrit real të sulmeve e kërcënimeve në drejtim të gazetarëve. Pasi që gazetarët përveç atyre të transmetuesit publik nuk kanë sindikatë dhe ne e dimë fare mirë se ka shkelje në vendin e punës, mirëpo këto shkelje nuk raportohen në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, i cili ka marrë përgjegjësinë edhe të sindikatës, pra t’i mbrojë gazetarët edhe nga shkeljet e të drejtave të tyre në vendin e punës”, ka thënë ajo.

Sipas të dhënave të AGK-së për periudhën 2014-2023, janë shënuar 195 raste kriminale ndaj gazetarëve. Por, as në këto të dhëna, që sigurohen përmes filterave, nuk ka saktësi për të kuptuar se raste i takojnë kategorive të caktuara dhe se në cilën fazë të procedurës gjenden aktualisht.

Mushkolaj thotë se organet e drejtësisë nuk merren seriozisht me rastet e gazetarëve

Opinionisti Imer Mushkolaj ka deklaruar se është shumë e lehtë të kërcënosh një gazetar ose gazetare të pambrojtur. Sipas tij, shkaktarë për këtë, janë organet e drejtësisë që nuk i marrin seriozisht rastet e gazetarëve dhe pandëshkushmëria vazhdimisht trimëron kriminelët.

“Sot është shumë e lehtë ta kërcënosh një gazetar, sepse gazetarët janë jashtëzakonisht të ekspozuar në punën e tyre të përditshmërisë. Sot është shumë e lehtë si qytetar i Kosovës apo biznesi apo çka qoftë ta vësh në shënjestër gazetarin, për shkak se gazetari është i pambrojtur sa duhet në punën e vet”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, sulmuesit e gazetarëve po trimërohen shkaku se gazetarët s’janë të mbrojtur dhe s’ka reagim serioz të institucioneve të drejtësisë .

Ata të cilët po i sulmojnë gazetarët, sipas Mushkolajt, dëshirojnë të marrin vetë drejtësinë në dorë./BetimipërDrejtësi