BETIMI PËR DREJTËSI

Punët iu shtuan AKK-së, veç 12 mijë euro më shumë i ndahen për vitin e ardhshëm

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit do të ketë rritje simbolike të buxhetit, përkatësisht vetëm 12 mijë e 66 euro. Kjo rritje do të reflektohet në masë të madhe në investime kapitale, ndërsa, 2 mijë e 66 euro te pagat dhe mëditje. Kjo sipas Drejtorit të kësaj Agjencie, Ylli Buleshkaj nuk përkon më kërkesat e tyre si dhe detyrat shtesë që iu janë dhënë përmes dy ligjeve.

“Po, ne si agjenci pasi që ligji i ri kryesisht dy ligjet e reja kanë hy në fuqi na kemi përgatitur kërkesat tona buxhetore të cilat kanë qenë pak më të larta se ato që janë aprovuar. Sepse qoftë Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, po ashtu edhe Ligji për Deklarimin e Pasurisë, ligji i ri na i rritë punët. I pari na shton edhe detyra shtesë siç janë detyrat të cilat ne më herët as që i e kemi kry, është puna e skanimit antikorrupsion të legjislacionit është hartimi i planit të integritetit e plotë detyra tjera të cilat më herët nuk i kemi pasur, të cilat tash duhet t’i zbatojmë e këto kanë nevojë për burime financiare dhe një zyre shtesë”, ka thënë Buleshkaj.

Ai ka shtuar se Ligji për Deklarimin e Pasurisë e ka rrit numrin e zyrtarëve që do të deklarojnë pasurinë. Sipas tij, kjo i bie që me numrin e njëjtë të stafit nuk mund të kryhen ato detyra që janë të caktuara me legjislacione.

Për hulumtuesen nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Medina Kadriu, është e çuditshme se si Agjencia për Parandalim të Korrupsionit e ka buxhetin pothuajse të njëjtë sikurse në vitin 2022, kur kësaj agjencie tanimë i janë shtuar obligimet ligjore.

“Në gusht të vitit 2022 ka hyrë në fuqi Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Tri nene të këtij ligji që kanë të bëjnë me planin e integritetit, vlerësimin e rrezikut nga korrupsioni dhe vlerësimin e akteve ligjore kundër korrupsionit do të hyjnë në fuqi në shkurt të vitit të ardhshëm. Sipas projektligjit të ri, shtohet konsiderueshëm numri i zyrtarëve të cilët obligohen ta deklarojnë pasurinë, shtohet obligimi që ka të bëjë me planin e integritetit, vlerësimin e rrezikut anti-korrupsion, vlerësimin e akteve ligjore kundër korrupsion etj”, ka thënë ajo.

Duke shtuar se me këtë buxhet kjo Agjenci do ta ketë të pamundur t’i realizojë obligimet e saj.

“Kështu, është i çuditshëm vlerësimi se ky ligj nuk paraqet kosto shtesë financiare dhe është shqetësues fakti se si në buxhetin për vitin 2023, buxheti për këtë agjenci do të jetë pothuajse i njëjtë. Kjo situatë jep një përshtypje se për shkak të mungesës së buxhetit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit gjatë vitit 2023 do ta ketë të pamundur ti realizojë obligimet që ka, të cilat obligime i janë dhënë pikërisht nga Kuvendi përmes ligjit të ri”, është shprehur Kadriu.

Drejtori i Agjencisë shton se kanë kërkuar të kenë rritje të stafit prej 50 %, duke thënë se këtë rritje kanë kërkuar ta bëjnë gradualisht.

“Kemi vlerësuar se numri i stafit aktual të rritet edhe për 50 përqind të numrit, ne në kërkesat tona kemi qenë të qartë, nuk kemi kërkuar që i gjithë stafi të merret menjëherë, kemi pasur shkallë shkallë. Vetëm në vitin e parë që i bie në vitin e ardhshëm kemi kërkuar që të rritet një numër simbolik vetëm prej 15 zyrtarëve, pastaj pjesa tjetër në vitin pasues, sepse ligji i cili është aprovuar hyn në fuqi pjesë- pjesë e kjo do të na kish ndihmu edhe neve që të përgatitemi më mirë edhe hap pas hapi për zbatimin në përpikmëri të kërkesave ligjore për agjencinë që rrjedhin nga ligjet e aprovuara tashmë”, ka thënë drejtori i kësaj Agjencie.