BETIMI PËR DREJTËSI

“Brezovica”: Gjykata Supreme ua ka ndërprerë paraburgimin disa të pandehurve, s’pajtohet Maloku

Rasti i njohur “Brezovica” së fundi po përcjellët me pretendime për ndikime në këtë rast. Një ndër problemet e ngritura në shkresat e siguruara nga “Betimi për Drejtësi” janë edhe masat e caktuara ndaj të pandehurve, ku ndaj disa prej tyre, Gjykata Supreme ka ndërprerë paraburgimin, pavarësisht se të pandehurit kishin dëshmuar me veprimet e tyre se ishin problematikë.

Në këtë drejtim dy ndër vendimet e përfolura janë edhe ndërprerja e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Hajrush Ajvazi, Hysni Bajrami e Blerim Imeri të gjithë të përfshirë si të dyshuar për kryerjen e disa vepra penale në rastin “Brezovica”. Të njëjtit kanë treguar në të kaluarën se janë problematikë në ballafaqim me ligjin.

Sipas vlerësimit të kolegjit të Gjykatës Supreme, nga shkresat e lëndës rezulton dyshimi i bazuar se të pandehurit janë kryes të veprave penale për të cilat dyshohen, mirëpo kanë pushuar së ekzistuari bazat e artikulueshme, apo bazat ligjore për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit deri më tani.

Me këtë s’është pajtuar prokurori i rastit, Rasim Maloku.

“Meqë nuk pajtohemi në atë kuptimin faktik në to, mirëpo ne si vendime i respektojmë dhe i zbatojmë. Ka vlerësuar Gjykata në atë mënyrë, edhe megjithatë në hetim na pengojnë shumë, ajo është e pashmangshme. Një i pandehur që është kthyer në paraburgim për shkak të ndikimit në dëshmitarë t’i ndërpritet prapë, për neve nuk është e arsyeshme, po kështu ka vendos Gjykata Supreme dhe për neve, vendimet e gjykatave janë të pakontestueshëm dhe të zbatueshme, meqë kështu funksionon rendi juridik”, është shprehur Maloku.