BETIMI PËR DREJTËSI

Denoncohen dy gjyqtarë se tentuan të ndikojnë te rasti “Brezovica”

Sipas denoncimeve, në rastin “Brezovica”, kanë tentuar të ndikojnë edhe gjyqtari i gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti si dhe gjykatësi i Gjykatës se Apelit, Enes Mehmeti, ku sipas pretendimeve thuhet se i është bërë trysni një zyrtareje ligjore që të përgatisë leje për vizitë në Qendrën e Paraburgimit për familjarët e një prej të pandehurve në kundërshtim me rregullat e Qendrës, raporton BetimipërDrejtësi.

Për këtë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, ka thënë se kanë pranuar informacione në forma të ndryshme por që nëse është ngritur një gjë e tillë, se pari duhet të intervistohet zyrtarja.

“Ne kemi pranuar në forma të ndryshme disa informacione të cilat i kemi adresuar, por nëse ky pretendim është i saktë dhe ngritet nga prokurori i çështjes, unë besoj që minimumi do duhej të intervistohej zyrtarja e gjykatës, pasi që po theksoj se proceset disiplinore kur ndërlidhen potencialisht me nivel tjetër të përgjegjësisë që është përgjegjësi penale edhe të kufizohen, reduktohen në kuptimin e procedurës deri në masën që nuk e intereferon pengon procesin e hetimit penal të çështjes”, është shprehur Zogaj.

Ai ka thënë se secili zyrtar, qoftë gjyqtar, qoftë kryetar gjykate apo niveli tjetër, që është i përfshirë në një forme ose tjetër duhet me pas me vëmendje nivelin e përgjegjësisë që ka brenda rastit edhe brenda këtij niveli të trajtohet edhe çështja.

“Nëse ka këso interferime, ne si Këshill patjetër që mund të bëjmë një hetim disiplinor, por nëse konfirmohen këto, atëherë parimisht në kuptimin profesional të fjalës tejkalohen përgjegjësi disiplinore dhe ku do te duhej me qene hetimi, kush do te duhej me e zhvillu hetimin, pikërisht organi i akuzës që është Prokuroria”, ka thënë ai.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar të dy gjykatësit – Arben Hoti dhe Enes Mehmeti – dhe të dy kanë mohuar pretendimet e tilla, duke thënë se asnjëherë nuk kanë telefonuar zyrtaren e gjykatës për këtë rast.