BETIMI PËR DREJTËSI

Zogaj: Kemi pranuar disa shqetësime për rastin “Brezovica”

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, thotë se është i njoftuar me komunikimet përmes kanaleve zyrtare dhe informacionet tjera përmes të cilave pretendohet se po ndikohet në rastin “Brezovica” dhe se të gjitha informacionet janë drejtuar në kanalet adekuate.

Ai ka thënë se nuk ka kompetencë direkte në rastin konkret dhe se për rastin fillimisht kanë marrë informacione nga mediat.

Zogaj ka theksuar se përmes “Betimi për Drejtësi”, ka parë listën e personave në rastin “Brezovica”, ku kanë qenë të përfshirë edhe emra gjykatësish të të gjitha niveleve, përfshirë vetë kryetarin e Gjykatës se Ferizajt.

“Duhet me theksu se ne kemi qenë në dijeni të procedurës, si Këshill Gjyqësor, njëkohësisht edhe Kryetari i Gjykatës Supreme, por edhe Gjykatës së Apelit dhe rrjedhimisht edhe Gjykata Themelore në Ferizaj, sa i përket procedurës për kompetencën e çështjes se ku do duhej të trajtohej çështja dhe si duhet të veprohet në rastin konkret, duke qenë se është i përfshirë të paktën në listën e villave të sekuestruara përkohësisht edhe villa e kryetarit të Gjykatës”, ka thënë Zogaj.

Ai ka shtuar se ka pasur korrektësi profesionale dhe etike nga ana e kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, pasi sipas tij, ai me kohë ka njoftuar të gjitha autoritetet se si duhet të veprohet, dhe se në rastin konkret krejt përgjegjësia për administrimin ka kalu te nënkryetarja e Gjykatës, për të cilën thotë se ka ndërmarrë veprimet e duhura.

“Me kohë ka ndërmarrë veprimet e duhura, duke njoftuar Gjykatën e Apelit dhe rrjedhimisht kryetarin e Gjykatës Supreme dhe mua si kryesues i Këshillit Gjyqësor se potencionalisht në rastin konkret duhet të vlerësohet nëse çështja duhet të vazhdojë edhe më tutje të trajtohet në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Ne i dimë standardet e etikës, çdo rast kur nga publiku mund të perceptohet që gjyqtari, gjykata, kushdo mund të jetë i njëanshëm apo mund të ndikohet atëherë patjetër duhet që çështja të kalojë në gjykatë tjetër, ky është edhe standard i ndërtum në këto vite të gjyqësorit të Kosovës”, është shprehur Zogaj në emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Zogaj ka shtuar se me kalimin e kësaj çështje në Gjykatën Themelore në Pejë, janë respektuar në tërësi dispozitat përkatëse për kompetencën dhe çështje penale dhe se janë diskutuar edhe çështjet e kalimit të lëndës në sistemin SMIL.

Kryesuesi Zogaj ka folur edhe diskutimet, respektivisht komunikimit që ka ndodhur në mes të gjykatave përmes të cilave pretendohet ndërhyrja apo influenca në këtë rast.

“Ne duhet me pas në vëmendje që në çështje të tilla kur rasti është në fazë hetimi, patjetër kërkohet prej të gjitha autoriteteve me pas tepër kujdes sepse edhe mund të dëmtohet procesi i hetimit, por në princip edhe ne kemi pranu disa shqetësime, në forma të ndryshme, që mund të ketë ndonjë, ose supozohet ose pretendohet që dikush edhe ka mund me tentu me influencu në rastin konkret. Unë për deri në këtë fazë, patjetër që du me përgëzu edhe gjyqtarin e çështjes i cili ka tregu një integritet të lartë në trajtimin e rastit por edhe gjithë administratën dhe Gjykatën Themelore në Ferizaj”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se për të gjitha këto shqetësime është autoritet i fundit që vendos në çfarëdo rasti, por që ato i kanë formalizuar dhe i kanë orientuar tek organet kompetente.

“Të gjitha shqetësimet ne, i kemi formalizu si shqetësime në procedura përkatëse, i kemi drejtu dhe i kemi orientu tek autoritetet kompetente, pra të kemi parasysh gjithçka që i takon procedurës në këtë rast tek kryetari i Gjykatës Supreme që është autoriteti më i lartë brenda gjyqësorit. Por, edhe përtej kësaj, pasi që ta themi nga ajo që është e njohur edhe organi i hetimit në këtë rast, duket që është në dijeni të këtyre pretendimeve që janë ngritur”, është shprehur Zogaj.