BETIMI PËR DREJTËSI

Mbi një milion euro për 211 punëtorë ministrorë, pa dalë fare në punë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV, ka thënë se pas auditimit që Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer për vitin 2020, është vërejtur se në shtatë ministri janë paguar 211 punonjës pa e vijuar fare punën.

Ajo tha se pagesa e këtyre punonjës, që janë integruar në ministri pas marrëveshjes së arritur në Bruksel për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, buxhetit të shtetit i ka kushtuar 1 milion e 14 mijë euro.

“Me rastin e kryerjes së këtij testimi, po i referohem të dhënave të audituara për vitin 2020, auditorët kanë identifikuar se 211 punonjës të sistemuar nëpër shtatë ministri janë paguar gjatë tërë vitit në një shumë totale prej 1 milionë e 14 mijë euro pa vijuar fare punën”, ka thënë Spanca.

Ajo ka treguar se këto pagesa kanë të bëjnë me pagesën e zyrtarëve të komunitetit serb të së ashtuquajturës “Mbrojtja civile”.

“Këta 211 punonjës ishin shpërndarë në shtatë ministri dhe kjo ishte si rezultat i marrëveshjes së Brukselit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve, përkatësisht për integrimin e këtij komuniteti të ashtuquajtur ‘Mbrojtja civile’. Megjithatë vendosja e tyre në listën e pagave ishte bërë para se të krijoheshin kushtet normale për punë”, ka thënë ajo.

Zyra Kombëtare e Auditimit tek tash ka filluar të publikojë raportet e auditimit për vitin 2021, e që dukuria e pagesës së punëtorëve të cilët nuk kanë vijuar punën është prezentë edhe në këto raporte.

Spanca bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë edhe gjatë vitit 2021 ka paguar 18 punonjës pa e vijuar fare punën, e që buxhetit i kanë kushtuar mbi 93 mijë euro.

Spanca e ka quajtur shqetësues faktin që ka vazhduar pagesa e këtyre punëtorëve.

“Kjo në fakt është mjaftë shqetësuese për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka arritur të marrë kundërvlerën apo shërbimin për të cilin edhe ka paguar dhe në fakt është edhe dëmtim i buxhetit. Mirëpo, në anën tjetër këta punonjës kanë një akt-emërim i cili akt-emërim do të thotë prodhon edhe efekte juridike dhe nuk është se mund të largohen aq lehtë edhe nga listat e pagave, përderisa arsyet janë që ministria apo Qeveria nuk ka arritur t’u krijojë kushte atëherë mbetet në përgjegjësinë e ministrave për pagesën e tyre, mirëpo pa marrë kundërvlerën apo shërbimin nga këta punonjës”, ka shtuar ajo

Spanca u shpreh se Zyra Kombëtare e Auditimit në vazhdimësi ka rekomanduar që ministritë t’u krijojnë kushte për punë për këta punonjës, derisa thekson se deri më tash ky rekomandim nuk është zbatuar.