BETIMI PËR DREJTËSI

Nocaj: Kishte mungesë profesionalizmi në trajtimin e lëndës së Qemajl Mustafës

Driton Nocaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD) ka thënë se në fazën e kontrollimit të aktakuzës janë shfaqur dilemat lidhur me cilësimin juridik të aktakuzës, të cilat kundërthënie kishin shpërfaqur mosprofesionalizimin e trajtimit të këtij rasti penal.

“Ky proces gjyqësor është manifestuar edhe me dilema apo kundërthënie gjatë fazës së kontrollimit të aktakuzës në mes Gjykatës së shkallës së parë, shkallës së dytë dhe Prokurorisë Speciale, lidhur me elementet inkrimunuese të pandehurve respektivisht me cilësimin juridik të veprës penale. Pra, nëse kemi të bëjmë me krim të organizuar apo me ndonjë formë me të lehtë të bashkëpunimit apo grupit kriminal. Ky ping pong mes Prokurorisë dhe Gjykatave lidhur me cilësimin juridik ka shpërfaqë mungesën e profesionalizmit të trajtimit të këtij rasti, që bënë pjesë në rastet e korrupsionit të profilit të lartë”, tha Nocaj nga IKD.

Mungesën e kërkesës së Prokurorisë për lëshimin e urdhëresës për përgjime, Noci e sheh shumë problematike. Sipas tij, është e pakuptueshme se si kjo kërkesë nuk gjendet në shkresat e lëndës. Por, Noci thotë se në këtë rast, e çuditshme del të jetë edhe vendimmarrja e ish-Gjykatës së Qarkut kur kishte lëshuar këtë urdhëresë.

“Është jashtëzakonisht problematike qasja e prokurorisë në këtë rast. Ta kemi parasysh, po flasim për një rast të korrupsionit të profilit të lartë, i cili pothuajse fund e krye është ndërtuar mbi bazën e sms-ve të nxjerrë përmes masave të fshehta. Ndërsa, kur kërkohet kërkesa e Prokurorisë për lëshimin e urdhëresës nga ana e Gjykatës, kjo kërkesë nuk gjendet askund. Ky fakt fillimisht tregon një neglizhencë të madhe, veçanërisht kur e kemi parasysh peshën e rastit në fjalë. Në anën tjetër, duke mos supozuar motivet, arsyeshëm ngritën dilemat se pse sot kjo kërkesë nuk ekziston. Ndërsa, në anën tjetër, e çuditshme është edhe qasja e gjykatës që kishte lëshuar këtë kërkesë. Nëse kjo gjykatë ka nxjerrë urdhër për këto masa, logjikisht konstatohet të ketë pasur kërkesë. Në fakt, ndoshta vet ky vendim do të mund ta bënte të nënkuptueshëm ekzistencën e kësaj kërkese”, ka thënë ai.