Auto

“Automan” rikthehet me edicion veror

Në një edicion të ri veror, me plot risi dhe adrenalinë, ekranit të Kohavisionit i kthehet emisioni që i dedikohet ekskluzivisht botës dhe adhuruesve të shpejtësisë e automobilave.

“Automan” me autor Albert Muçajn, do ta vazhdojë traditën, duke sjellë gara interesante ndërmjet mysafirëve të vet.

Autori i këtij emisioni, ka paralajmëruar që edhe në edicionin e ri, gara do të vazhdojë me të njëjtin intensitet. Megjithatë ka risi që sjell “Automan”.

“Së shpejti në Kohavision nis edicioni i ri veror i emisionit ‘Automan’. ‘Go karting’ është edicioni i matjes së shpejtësisë, reflekseve dhe aftësive të shumë të ftuarve nga fusha të ndryshme. I konceptuar të sfidojë mysafirët e emisionit, ‘Go karting’ do t’iu sjellë momente interesante të realizuara në një pistë profesionale e rrethuar me një ambient të mrekullueshëm”, ka paralajmëruar Muçaj.

Ai ka shtuar se në sezonin e ri, realizuesit e emisionit “Automan” do të mundohen të sjellin figura të ndryshme publike, të cilët do të jenë kryesisht nga mosha e re.

“Gjithsesi do të ketë edhe profesionistë garash që do të vijnë në këtë edicion për të sjellë përvojat e tyre në këtë sport atraktiv dhe mjaft të kërkuar edhe tek ne kohëve të fundit”, ka thënë ai.

Nëpërmjet vozitjes së shpejtë, të ftuarit e emisionit “Automan” do të sjellin emocionin e garës, inatin e lojës dhe gëzimin e fitores.

“Me plot risi, edhe këtë sezon “Automan” vjen tek ju i freskët dhe i shpejtë si gjithnjë”, ka thënë Muçaj. Adresa e vetme e kësaj “aventure” televizive mbetet Kohavisioni. Dhe ata që admirojnë shpejtësinë e vozitjes nuk kanë përse ta ndërrojnë kanalin.