Auto

Peugeot 508 i ri, së shpejti premierë në Zagreb

Peugeot do të prezantojë modelin e ri Peugeot 508 si premierë në panairin e veturave në Zagreb, i cili do të mbahet nga data 10 deri 15 prill.

Modeli i ri ka konstrukt më të ultë dhe kompakt, dizajn më të ashpër të eksterierit dhe me pamje spektakulare të brendshme, e cila vjen si kombinim i sistemit të Peugeot i-Cockpit®.

Peugeot 508 i ri është i gjatë 4.75 metra, dhe do të vijë me drita të pasme LED, instrument-tabelën digjitale ekran 12.3-inç me rezolucion të lartë, ndërsa peshon 70 kilogramë më pak në krahasim me pararendësin e tij.

Lexoni edhe: 

Peugeot 508 GTi me motor shumë të fuqishëm [foto]

Ai po ashtu shpenzon më pak karburant, ofron më shumë siguri dhe performancë më të mirë, thonë në kompani, transmeton KosovaPress.

Posedon motor dizel 2.0-litër, në kombinim me marshin automatik me tetë shpejtësi.

508 i ri është në pajtim me normën Euro 6.c, i pajisur me motorin e ri PureTech dhe BlueHDi, të gjithë me teknologjinë SCR.

Në variantin benzinë janë dy oferta me motor 1.6-litër PureTech: PureTech 180 S&S EAT8 dhe PureTech 225 S&S EAT8.

Në variantin me dizel janë katër opsione: me motorët 1.5-litër dhe 2.0-litër BlueHDi: BlueHDi 130 S&S BVM6, BlueHDi 130 S&S EAT8, BlueHDi 160 S&S EAT8 dhe BlueHDi 180 S&S EAT8.

Gjithashtu, 508 i ri do të prodhohet në fabrikën në Mulhouse, në Francë, dhe në tregun kroat pritet të dalë në shitje më vonë gjatë këtij viti.