Auto

Rally Albania – Kontrastet nën hijen e maleve

Descriptive Text

Rally Albania është një nga ngjarjet sportive më tradicionale në Ballkan.

Organizatori i Rally Albania, Edvin Kasimati, që prej vitit 2006, ia ka arritur ta zhvillojë këtë garë të rëndësishme në zemrën e gjelbër të Evropës Juglindore. Si fillim, kanë garuar vetëm 40 pjesëmarrës, kryesisht shqiptarë, dhe më pas, në vitin 2011, eventi mori përmasa më të mëdha me pothuajse 200 garues dhe me një fluks më të madh ndërkombëtar.

Megjithatë, organizatorët e eventit nuk ishin në gjendje të menaxhonin numrin në rritje të garuesve duke përjetuar një rënie të reputaciont, i cilësuar si një event i çorganizuar, raporton ATSH.

Por, Kasimati ka punuar për përmirësimin e eventit duke shkëlqyer në vitin 2017 përmes përgatitjeve të detajuara që ofronin një hartë të rrugëve për pilotët përfshirë dhe shumë ndihma të tjera.

Eventi sportiv, Rally përfshiu rreth 70 motoçiklistë që garuan për vendin e parë në shtatë kategori, së bashku me rreth 30 automjete në tre kategori: Jeeps, SSVs dhe Quads.

Ka diçka për të gjithë në këtë event sportiv!

Pothuajse, një e treta e 2,8 milionë banorëve të Shqipërisë jetojnë në kryeqytet, Tiranë, ku fillon dhe përfundon eventi sportiv.

Vetëm kohët e fundit, shqiptarët kanë filluar të mbajnë vetura, falë rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90. Por, si rezultat i tyre, Tirana është përfshirë nga një trafik i rënduar. Rregullat, të cilat ndiqen nga pjesa tjetër e botës perëndimore, këtu shpërfillen.

Shqipëria është duke përjetuar një udhëtim të gjatë drejt një ekonomie moderne të tregut. Pothuajse, 500 vjet nën sundimin e Perandorisë Osmane dhe 45 vjet izolim të diktaturës komuniste pas Luftës së Dytë Botërore, kanë lënë gjurmën e tyre në vend.

Prandaj, nuk është e çuditshme që udhëtarët synojnë zonat e paprekura nga qytetërimi perëndimor, të paktën jashtë kufijve të Tiranës.

Banorët në zonat malore jetojnë ende një jetë tradicionale me kuaj, gomarë dhe djathë shtëpie, ndërsa brezi i ri është duke u zhvendosur në Tiranë për të kërkuar mundësi më të mëdha jetese.

Ceremonia e hapjes e Rally Albania ishte një moment gëzimi si për vendasit ashtu edhe për pjesëmarrësit: duartrokitje, fëmijë të buzëqeshur, fytyra të lumtura dhe kamera televizionesh. Diku tjetër do të ishte një garë rutinë amatorësh, ndërsa këtu është diçka e madhe. Pistat variojnë nga 100 në 500 kilometra, me disa më të gjata që gjithnjë ndjekin rrugë më të shkurtra. Kishte hapësira relaksi për garuesit, pavarësisht reputacionit si një nga garat rally më të vështira në Ballkan.

Pas fillimit të ceremonisë, garuesja Anastasia Nifontova më tregoi pak për jetën e saj. Rusja ka qenë aktive në garat me motora që prej vitit 1999. Në 2015, ajo përfundoi me sukses garën Eko Afrikane, në 2016 garoi në Rally Albania me një motor garash ”Enduro” me dy cilindra dhe këtë vit ishte në Dakar. Ajo jeton në Moskë me partnerin e saj, së bashku me dy fëmijët e saj dhe ka një dyqan veshjesh sportive KTM dhe ”Husqvarna”.

Por, edhe profesionistët janë vulnerabël ndaj lëndimeve. Natën e xhiros së parë prej 380 kilometrash, u ktheva në kamp pas një ditë të gjatë me shi, baltë dhe një sërë shkëmbinjsh. Këto kushte zakonisht janë lojra fëmijësh për Anastasian, por në një dalje në fund të pistës, një nga drejtuesit e makinave shqiptare u kthye në mes të rrugës pa ndezur sinjalet. Në pamundësi për ta shmagur atë, ajo thyen një kockë pranë klavikulës duke shembur një brinjë dhe duke e përfunduar garën e saj, një fatkeqësi e vërtetë.

Ndërkohë, karvani i garuesve kishte arritur në jug të Shqipërisë. Kampi i parë pas Tiranës ishte në Pogradec, në bregun jugor të liqenit të Ohrit dhe prej aty kaluam përmes relievit të egër të Shqipërisë Jugore drejt Voskopojës. Rruga na çoi në pyje me shtigje shkëmbore të pastruara nga uji i shiut. Mjeti im ishte i rëndë dhe u rëndua edhe më shumë, ndërsa karburanti po më mbaronte derisa mu desh t’i jepja gaz për të mbajtur karburatorin ”të lumtur”. Pesha që mbaja, duke përfshirë edhe pajisjet filmuese, më pengonin dhe m’u desh ta shihja me sytë e mi çfarë do të thotë të ngasësh një motor të rëndë në një garë të vështirë. Më në fund arrita në pllajën e malit në 1 600 metra lartësi.

Ajri i pastër, aroma e barit të lagur dhe shijimi i panoramës më qetësuan. Pamja nga kampi në malet e Voskopojës ishte unike. Një shtëpi e mrekullueshme e vjetër e rrethuar me pyje dhe male për ta bërë pamjen edhe më të bukur. Shiu ishte një vlerë e shtuar duke krijuar rrjedha uji poshtë shtigjeve të shkëmbinjve. Në dhomën e hotelit kishte vetëm krevate marinari. Dritat uleshin e ngriheshin derisa ikën fare, diçka që dukej se ndodhte rregullisht në Shqipëri. Shoferët u detyruan të mbyllnin makinat e tyre në një ”parking të mbyllur” për natën.

Një sallë e madhe ngrënieje ku shërbehej ushqim tradicional shqiptar bëri bashkë garuesit. Gjithçka dukej se ishte në vendin e saj në atë moment, me një lloj harmonie dhe kontrasti nën hijen e maleve. Ishte pothuajse dy e mëngjesit kur pashë orën. Kërkova me shpejtësi mes materialeve filmike për të parë rezultatet e garave me makina të ditëve të fundit. Në garën me motoçikleta të vogla ishte Christian Pastori që udhëhiqte, kurse italiani Ugo Filosa që ngiste një motor ”Africa Twin” ishte në krye të garës me motoçikleta të rënda. Filosa me ”Africa Twin”-in e tij kishte arritur statusin e kultit. Italiani garonte me ata lloj njerëzish, të cilët asnjëherë nuk i linin gjërat në mes të rrugës.

Megjithatë, po të kishte ndonjë mjet atje jashtë që nuk ishte i përshtatshëm për rrugët shqiptare me baltë, ky ishte ”Africa Twin”. Për Filosën nuk kishte rëndësi dhe ai thjesht e ngiste pa i kushtuar rëndësi rrapëllimës së motoçikletës. Ai e kishte ngarë atë në “Malle Moto” duke lëvizur nga gara në garë dhe duke planifikuar ture panoramike gjatë kohës së lirë në Itali. Kjo do të thoshte ta jetoje pasionin tënd në mënyrën më të plotë!

Bëra shumë përpjekje për t’u zgjuar në pesë e gjysmë të mëngjesit. Jashtë pothuaj kishte zbardhur dhe faza tjetër e rrugës gjarpëronte nëpër male për në Borsh, në brigjet e Mesdheut. Plazhi ishte i përshtatshëm për një ”bivuak”, një kamp të përkohshëm të ndërtuar jashtë pa tenda dhe ishte një oazë e qetësisë. Pajisjet për garën qëndruan aty për dy net. Dita e fundit ishte më e gjata, na prisnin më shumë se 400 kilometra, ndërsa ne ishim tashmë të lodhur. Madje përpara se të arrinim në fazën speciale, motoçiklistët duhej të kalonin në fillim fazën e parë lidhëse prej 180 kilometrash, ku edhe rrugët “normale” ndërmjet fshatrave nuk ishin shtruar dhe ishin në gjendje të mjerë. Për mua kjo rezultoi në një gomë të pasme të rënë. Nuk ka problem, mendova, por më vonë nga balta më nxori një nga banorët lokalë për shkak të një problemi me një tub të brendshëm. E pyeta çfarë mund t’i jepja në këmbim të ndihmës që më dha dhe ai u përgjigj “Herën tjetër, hajde me mua për peshk”.

Dhe përsëri, përjetova një çast tjetër kur Shqipëria u rrit brenda meje.

Goma e rënë më mori ca kohë. Nëse doja t’i kapja shumicën e garuesve në film më duhej ta ngisja motoçikletën deri në fund duke filluar prej atje. Ashtu si dhe më parë, panorama më la pa frymë. Vetmia, qetësia dhe mungesa e gjumit më bënë të bie në ekstazë, ndërsa unë humba idenë e kohës kur prisja për garuesit me aparatin fotografik gati. Ndërsa u dëgjua zhurma e motorit, një gjëmim, pluhur… kuptova se Christian Pastori sapo kishte fluturuar. Në fund të një faze shumë të veçantë, takova Uwe dhe Dominik Detering. E njihnim njëri-tjetrin nga Maroku dhe ishte diçka e veçantë të shikoje dyshen baba-bir me atë pamje në garë. Pajisja navigatore elektrike e Uwe u dobësua gjatë garës dhe Dominiku i udhëhoqi përmes kopshtit të gurtë, ndërsa ata përballuan kushtet. Ashtu si gjithë të tjerët në garë, ata jetojnë aventurën e tyre të vogël, në atmosferën e miqve dhe familjes, në një vend të ngarkuar me kontraste, me një histori prekëse se të gjithë shpesh vuajtën me të padrejtë paragjykimet perëndimore.

Rrethi u mbyll në një podium në Tiranë. Duart u shtrënguan, grushtet u drejtuan nga qielli dhe trofetë u dhanë. Në kategorinë e motoçikletave të lehta fitues ishte Christian Pastori, pasuar nga Vasilis Boudros dhe Sebastian Kaluzny. Për motoçikletat e mëdha, i preferuari im, Ugo Filosa, duhej të hiqte dorë nga vend i parë që e zuri Roberto Baratelli. Por, ajo që kishte vërtet vlerë ishte shpirti i këtij eventi. Organizatori Edvin Kasimati e tha mirë se “Është e gjitha një aventurë kolektive për të gjithë në ndoshta parajsën më të mirë off-road të Ballkanit”.