Auto

Bentley Bentayga hibrid së shpejti në Gjenevë

Bentley Bentayga tani për tani ofrohet me motor benzinë 6.0-litër Bi-Turbo W12 dhe dizel 4.0-litër V8, por gjatë këtij viti oferta e tij do të zgjerohet me versione të reja.

Kompania e njohur britanike, Bentley, është duke përgatitur versionin plug-in hibrid të Bentaygas, transmeton Koha.net. Premierën botërore versioni hibrid do ta mbajë në panairin e veturave në Gjenevë, i cili do të fillojë në mars të këtij viti.

Bentayga në version hibrid do të ketë sistemin e tërheqjes të huazuar nga Porsche Panamera, E-Hybrid. Kjo nënkupton se ai do të jetë në dispozicion në kombinim me motorin benzinë 2.9-litër Bi-Turbo dhe motorin elektrik me baterinë litium-jon, ku fuqia e tij në total do të jetë 340 kW/ 462 kuajfuqi. Po ashtu, ky version me vetëm një karikim të baterisë do të mund të kalojë deri në 48 kilometra.

Gjithashtu, Bentayga këtë vit do të ofrohet edhe me motor benzinë 4.0-litër V8 Bi-Turbo, të huazuar nga Porsche Cayenne, me kapacitet prej 410 kW/ 550 kuajfuqi.